Ish-kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla foli në Top Story lidhur me përplasjet mes SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve sa i takon drejtimit të BKH nga Aida Hajnaj.
Balla tha se në KLP kishin mbërritur disa ankesa ndaj Aida Hajnajt për mënyrën e drejtimit dhe të organizimit të brendshëm të strukturës së BKH. Sa u takon këtyre ankesave ai zbulon se u desh të ndërhynin ndërkombëtarët që të sqarohej roli i BKH brenda SPAK.
“Unë uroj të ulet ky tension se ka qenë i padobishëm dhe jashtë çdo logjike. Ligji i ka ndarë qartë kompetencat, ku BKH është në dispozicion të hetimit dhe varet nga Prokuroria e Posaçme. Pati dhe një ndërhyrje nga ndërkombëtarët.
Për 5 vite zonja Hajnaj drejtori mirë Byronë e Hetimit, kishte disa pretendime në lidhje me hetimin, me përgjimin parandalues, apo me kompetencat. Këto nuk morën ndonjë trajtim fundor ligjor. Për të mirën e punës nuk ia vlen të ketë tensione të tilla”, tha Balla. Versus.al







