12 celularët e sekuestruar nga policia në burgun e Durrësit, u gjetën në zonën e gjelbër dhe jo në qelitë e të dënuarve apo të paraburgosurve. Për këtë arsye, celularët do t’i nënshtrohen një akti ekspertimi për të përcaktuar se kujt i përkasin dhe nëse janë përdorur nga të paraburgosurit të cilët mund t’i kenë lënë më pas jashtë qelive.
Aparatet telefonike u kapën pas një kontrolli të befasishëm të policisë së burgjeve që tashmë ka nisur një hetim të thelluar për të zbuluar sesi celularët përfunduan brenda institucionit.
Për këtë do të këqyren pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë ose shenjat e gishtave të lëna në këto telefona.
Burgu i Durrësit mban mes të paraburgosurve të shumtë edhe shumë ish-zyrtarë të lartë si ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-deputeti Jurgis Çyrbja, ish-kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj si dhe të dënuarit ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako. Versus.al







