
Komisioni Evropian ka publikuar progresraportin e përvitshëm për funksionimin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, ku vihen re kritika të forta për institucione si KLP e KLGJ sa i takon ruajtjes së standarteve të vendosura nga Vettingu i gjyqtarëve e prokurorëve që nisi me Reformën në Drejtësi në 2016-ën.
Në progresraport vërehet mungesa e ripërtëritjes së këtyre institucioneve pasi kuotat e ulëta për vitin e ri akademik të magjistraturës janë të pamjaftueshme.
“Mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore, përfshirë magjistratët, vijon të ndikojë negativisht në cilësinë e drejtësisë”, thekson dokumenti i Brukselit, i cili ngre shqetësim për kuotat e ulëta të parashikuara për vitin e ri akademik në shkollën e magjistraturës “të cilat janë thelbësisht të pamjaftueshme për të siguruar mbushjen graduale të vakancave në afat mesatar”.
Ndërsa një detaj i rëndë konsiderohet fakti që ish-magjistratët të cilët kanë dhënë dorëheqjen gjatë vettingut dhe u ndalohet mbajtja e pozitave të larta, japin mësim si staf pedagogjik në Shkollën e Magjistraturës.
Në draft Raport thuhet se “nuk është shënuar ndonjë zhvillim domethënës nga KLGJ-ja dhe KLP-ja, në forcimin e transparencës për ngritjet në detyrë dhe transferimet. KLGJ-së, i mungojnë rregullat e brendshme të nevojshme për të ushtruar funksionet e saj në mënyrë efektive, ndërsa ato të KLP-së kërkojnë rishikim. Të dy Këshillat nuk kanë rregullore të brendshme për konfliktet e interesit të anëtarëve të tyre, duke bërë që rastet e mundshme të konflikteve të interesit të mos trajtohen”.
Më tej sheh si shqetësim serioz, “përpjekjet nga zyrtarë publikë apo politikanë për të ushtruar ndërhyrje të pajustifikuara dhe presion ndaj sistemit gjyqësor”. Dokumenti sjellë në vëmendje dy raste. “Prokuroria e Posaçme nisi një hetim penal në lidhje me një përpjekje për ushtrim presioni ndaj një magjistrati në një çështje që përfshinte një deputet”, shkruhet në raport.
Po ashtu në dokument kritikohen edhe reagimet e bëra nga legjislativi dhe ekzekutivi për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliajt të dyshuar për disa vepra penale.
“Hetimi dhe arrestimi i një zyrtari të zgjedhur, i konfirmuar në shkurt 2025 nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), shkaktoi reagime të paprecedenta publike nga ekzekutivi dhe legjislativi, përfshirë përpjekje për të ushtruar presion ndaj SPAK dhe institucioneve të drejtësisë – gjë që ngre shqetësime serioze”-shtohet më tej. Versus.al







