
Pas shpalljes së pretencës nga SPAK për çështjen e njohur si “Sterilizimi”, ka nisur në GJKKO faza e mbrojtjes për të pandehurit që kanë përfituar gjykim të shkurtuar, veçmas ish-ministrit Ilir Beqaj.
Gjatë fjalës së tij para trupit gjykues, Saimir Kadiu, ish-drejtor ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë, kërkoi shpalljen e pafajësisë, duke deklaruar se nuk ka qenë i përfshirë në asnjë shkelje apo shpërdorim detyre.
Për të ilustruar pozicionin e tij në këtë proces, Kadiu solli në sallë një anekdotë:
“Lexova një anekdotë para disa ditësh. Mori flakë pylli dhe u mblodhën të gjitha kafshët për të reflektuar mbi mëkatet. Luani tha: ‘Kam ngrënë shumë prej jush.’ Ujku dhe dhelpra po ashtu. Kur erdhi radha e gomarit, ai tha: ‘Pashë një lëndinë me bar të gjelbër dhe vajta e hengra.’ Të gjitha kafshët thanë: ‘Ky është mëkati më i rëndë!’ Dhe e dënuan gomarin.”
I pyetur nga trupa gjykuese për arsyen e kësaj historie, Kadiu u shpreh me një batutë që çuditi sallën: “Kërkoj të mos jem unë gomari.”/Versus.al







