
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të mos pranojë kërkesën e dhjetë ish-anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për t’u emëruar gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, pas përfundimit të mandatit të tyre si pjesë e organit të shkallës së parë të vettingut.
Vendimi u mor unanimisht në mbledhjen plenare të KLGJ-së, ku u rrëzuan kërkesat e Suela Zhegut, Firdes Shulit, Alma Faskajt, Brunilda Bekteshit, Pamela Qirkos, Olsi Komicit, Valbona Sanxhaktarit, Xhensila Pines, Etleda Çiftjas dhe Roland Ilisë.
Ish-komisionerët kishin kërkuar emërimin në Gjykatën e Apelit, duke argumentuar se pas përfundimit të mandatit ligji nuk përcaktonte qartë statusin e tyre, ndërsa gjatë kohës që ushtronin detyrën gëzonin një status të barabartë me anëtarët e Gjykatës së Lartë.
Por KLGJ vlerësoi se kërkesa nuk ka mbështetje ligjore dhe kushtetuese. Sipas Këshillit, Kushtetuta parashikon mundësinë e emërimit si gjyqtarë vetëm për ish-anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ndërsa një parashikim i tillë nuk ekziston për anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
“E drejta e rikthimit në sistemin gjyqësor nuk parashikohet për anëtarët e KPK-së”, ishte në thelb argumenti mbi të cilin KLGJ bazoi vendimmarrjen.
Ndryshe nga rasti i KPK-së, pak javë më parë KLGJ miratoi emërimin e anëtarëve të KPA-së si gjyqtarë në Gjykatën Administrative të Apelit, pasi kjo mundësi parashikohet shprehimisht në nenin 179/b të Kushtetutës.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u krijua në vitin 2017 si institucioni i shkallës së parë të procesit të vettingut, pjesë e reformës në drejtësi. Mandati i anëtarëve të tij, i përcaktuar fillimisht për pesë vite, u zgjat me ndryshime kushtetuese deri më 31 dhjetor 2024 për përfundimin e rivlerësimit të 805 subjekteve.
Me këtë vendim, KLGJ i ka dhënë fund kërkesës së ish-komisionerëve për të kaluar në sistemin gjyqësor si gjyqtarë Apeli pas përfundimit të mandatit të tyre në procesin e vettingut./Versus.al

