AKTUALITET /

“Kujdes nga SMS dhe email-et mashtruese”, institucionet paralajmërojnë qytetarët: Po imitojnë bankat dhe Postën Shqiptare

Sipas AKSK-së, qëllimi i këtyre mesazheve është marrja e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve përmes teknikave të mashtrimit kibernetik

Shkruar nga Versus

“Kujdes nga SMS dhe email-et mashtruese”, institucionet

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar qytetarët për një seri mesazhesh mashtruese që po shpërndahen përmes SMS-ve dhe email-eve, ku përdoret emri dhe identiteti vizual i bankave, Postës Shqiptare dhe institucioneve të tjera.

Sipas AKSK-së, qëllimi i këtyre mesazheve është marrja e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve përmes teknikave të mashtrimit kibernetik.

Autoriteti bën me dije se mesazhet mashtruese zakonisht krijojnë një ndjenjë urgjence, duke pretenduar se qytetarët duhet të kryejnë menjëherë veprime të tilla si pagesa për një dërgesë, konfirmimi i adresës, zhbllokimi i një llogarie bankare apo shmangia e ndërprerjes së një shërbimi.

Në këto raste, qytetarët rrezikojnë që përmes një klikimi në një lidhje të dyshimtë të dorëzojnë informacione sensitive, si fjalëkalime, kode verifikimi, PIN-e apo të dhëna të kartave bankare.

AKSK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të mos klikojnë në linqe të dyshimta të ardhura përmes SMS-ve apo email-eve. Gjithashtu, autoriteti këshillon që çdo njoftim të verifikohet vetëm përmes faqeve dhe kanaleve zyrtare të institucioneve përkatëse.

Qytetarëve u kërkohet gjithashtu që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë pranë AKSK-së dhe institucionit që dyshohet se po imitohet.

“Një klikim i nxituar mund të mjaftojë për të komprometuar të dhënat tuaja”, është paralajmërimi i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, i cili u bën apel përdoruesve të tregojnë vigjilencë të shtuar ndaj komunikimeve online./Versus.al

Poll