
Këshilli i Lartë i Prokurorisë po zhvillon sot nëj mbledhje ku do të zgjedhë pasuesin e Alfred Ballës pas mbarimit të mandatit të këtij të fundit i cili po qëndronte në detyrë deri në zgjedhjen e një kryetari të ri.
Kandidate e vetme për zgjedhjet në KLP është Mirela Bogdani. Gjatë fjalës së saj në mbledhjen e KLP, Bogdani u shpreh se më e rëndësishmja është koordinimi me partnerët ndërkombëtarë.
“E shikoj rolin tim shumë si koordinues me institucionet e tjera. Dua të them se është e rëndësishme fryma e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë. Rishikimi i kuadrit ligjor për vlerësimin etik dhe professional i prokurorëve me juridiksion të përgjithshëm”- u shpreh ajo mes të tjerash.
Bogdani u shpreh se e sheh thelbësore rritjen e transparencës së KLP për informimin e publikut lidhur me veprimtarinë e institucionit.
Ditë më parë KLP u përfshi nga një debat mbi shkarkimin e Alfred Ballës nga kreu i institucionit pasi KPA e përjashtoi me 15 vite nga sistemi i drejtësisë pasi nuk iu nënshtrua vettingut. Balla ishte kryetar në detyrë deri në zgjedhjen e një kryetari të ri, pasi mandati i tij kishte përfunduar që në dhjetor të vitit të kaluar. Ndërkohë, Alfred Balla e cilësoi si “skandaloz” vendimin e KLP për ta përjashtuar me 15 vite nga sistemi i drejtësisë dhe paralajmëroi se do ta çonte çështjen deri në Strasburg. Versus.al








