
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka sekuestruar armën e zjarrit të efektivit të Policisë së Durrësit, i cili dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë një konflikti në një lokal në Shkallnur, ku u përfshi edhe një person i shpallur në kërkim nga SPAK.
Sipas të dhënave paraprake, efektivi ka qenë në ambientin ku ndodhi përplasja, ndërsa në deklarimet e tij para agjentëve të AMP-së ka mohuar të ketë lidhje me Denis Tafilin, personin e kërkuar nga SPAK.
Ndërkohë, 36-vjeçari Edison Gjuzi, i cili u dhunua gjatë konfliktit, ka pretenduar se efektivin e policisë e ka parë disa herë në shoqërinë e Tafilit dhe personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
AMP po verifikon pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur dinamikën e konfliktit dhe për të përcaktuar nëse efektivi ka pasur ndonjë rol në favorizimin e personit të shpallur në kërkim.
Ngjarja ndodhi pasditen e 24 korrikut në Shkallnur të Durrësit, ku sipas policisë, pas një konflikti për motive të dobëta, Edison Gjuzi është goditur me qytën e një pistolete nga Denis Tafili, 41 vjeç, dhe shtetasi me iniciale G.M., 27 vjeç, të dy banues në Shkallnur.
Pas përplasjes, dy të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e tyre.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e konfliktit, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë edhe rolin e efektivit të policisë në këtë ngjarje.
Denis Tafili rezulton person i shpallur në kërkim nga SPAK, i cili ka kërkuar arrestimin e tij nën dyshimet për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge./Versus.al



