AKTUALITET /

"Korrupsioni, plagë që prek çdo institucion", Dumani në Durrës: Kemi nën akuzë zyrtarë të lartë politikë

Duke dhënë shifra, Dumani tha se numri i policëve të hetuar është 70 oficerë. Ai nënvizoi se policia jo rrallë herë ka dalë e përfshirë në vepra penale.

Shkruar nga Versus

"Korrupsioni, plagë që prek çdo institucion", Dumani

Kreu aktual i SPAK, Altin Dumani ka mbajtur sot një takim me studentët në Universitetin Aleksandër Moisiu të Durrësit ku tha se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të jetë përgjegjësi vetëm e Prokurorisë së Posaçme, por e të gjitha institucioneve të shtetit dhe e shoqërisë.

Pavarësisht se SPAK është një institucion i ri, Dumani tha se kjo prokurori speciale tashmë funksionon plotësisht dhe ka arritur të prodhojë rezultate të prekshme.

Ai u ndal edhe te sfidat e viteve të para të institucionit, por nënvizoi se pavarësisht problematikave, SPAK ka arritur të ndërtojë një standard të ri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai theksoi se në përfundim të mandatit të tij, ndihet i kënaqur me punën e bërë, duke rikujtuar se SPAK ka ngritur akuza ndaj personave me peshë të rëndësishme politike nga kryebashkiakë e deputetë, deri te ministra.

Sipas Dumanit, veçanërisht domethënëse është fakti që për rreth 50% të personave të akuzuar nga SPAK, gjykatat kanë dhënë vendime, çka tregon se puna e institucionit është mbështetur edhe nga sistemi gjyqësor.

Altin Dumani, i cili javën e ardhshme do t’i dorëzojë detyrën Klodian Brahos që u zgjodh drejtuesi i ri i SPAK për tre vitet e ardhshme, ishte i ftuar në një bashkëbisedim me studentët e UAMD me temën “Lufta kundër korrupsionit”. Versus.al

Poll