
Banorët e Tropojës i kanë bërë thirrje shefit të Komisariatit të Policisë në Bajram Curri që të ndalojë shoqërimet dhe arrestimet e personave që po ndërtojnë stane dhe shtëpi verore në zonën e Bjeshkëve. Ata paralajmërojnë se nëse situata vijon, do të ngrihen në protesta.
Gjatë javës së fundit, shërbimet e Policisë së Tropojës, në varësi të Drejtorisë Vendore të Kukësit, kanë zhvilluar kontrolle intensive në zonë.
Një pjesë e Bjeshkëve është shpallur zonë e mbrojtur, dhe kontrollet kanë konstatuar disa ndërtime me gurë dhe dru, kryesisht nga banorë vendas apo emigrantë që kthehen çdo verë për të ngritur shtëpi alpine.
Banorët, përmes rrjeteve sociale, e kanë cilësuar këtë veprim si të paligjshëm, duke theksuar se paratë e fituara me mund jashtë vendit nuk mund të ndalen “me forcën e uniformës”.
Ata kanë paralajmëruar autoritetet që “të bëjnë kujdes me tropojanët” dhe i kanë kërkuar personalisht shefit të Komisariatit të distancohet nga veprimet që ata i konsiderojnë presion dhe ndërhyrje të pajustifikuara në Bjeshkë./Versus.al







