Gjykata e Lartë ka regjistruar zyrtarisht rekursin e paraqitur nga kryetari i pezulluar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me masat procedurale të vendosura ndaj tij pas arrestimit në muajin shkurt. Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të gjykatës, çështja i është caktuar gjyqtares Albana Boksi, e cila do të veprojë si relatore në shqyrtimin e rekursit.
Aktualisht, procesi ndodhet në fazën e shqyrtimit të dokumentacionit dhe të vendimmarrjes për ecurinë e mëtejshme procedurale, ndërsa nuk është përcaktuar ende një datë për seancën.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 në ambientet e Bashkisë së Tiranës, nën dyshimin për kryerjen e disa veprave të rënda penale, përfshirë:
Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkëpunim në 9 raste,
Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale,
Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe interesave privatë.
Prokuroria ka deklaruar se hetimet kanë zbuluar një rrjet transaksionesh të dyshimta dhe lidhje me kompani që kanë përfituar tenderë publikë në mënyrë të parregullt gjatë ushtrimit të detyrës së Veliajt si kryetar bashkie.
Në këtë hetim përfshihet edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa hetimet ndaj saj lidhen me deklarimin e pasurisë dhe dyshime për përfitime të padrejta.
Rekursi i Veliajt synon të rrëzojë masat e vendosura nga Gjykata e Posaçme dhe të kontestojë bazueshmërinë e provave mbi të cilat Prokuroria ka ngritur akuzat. /Versus.al