AKTUALITET /

La pas bashkëshorten dhe një fëmijë, kush është 25 vjeçari shqiptar që u vra nga biznesmeni në Itali

Ndërkohë, në Sant’Andrea del Pizzone, ku jetonte viktima me familjen, dhimbja është e thellë. Rivaldo Rusi lë pas një bashkëshorte të re dhe një djalë të vogël.

Shkruar nga Versus

La pas bashkëshorten dhe një fëmijë, kush është 25

Personi në foto është Rivaldo Rusi, një i ri shqiptar 25-vjeçar, i cili u gjet i pajetë pas disa ditësh kërkime në zonën Foria di Centola, në jug të Italisë. Ai dyshohet se kishte hyrë në një banesë për të vjedhur, i shoqëruar nga dy persona të tjerë, por u qëllua për vdekje nga pronari i shtëpisë, biznesmeni italian Aurelio Valiante.

Sipas mediave italiane, Valiante, një ndërtues 58-vjeçar, ka pranuar përpara autoriteteve se ka qëlluar me armë zjarri, duke vrarë Rivaldon dhe plagosur rëndë një tjetër shqiptar 28-vjeç, i cili ndodhet në spitalin “Cardarelli” të Napolit në gjendje kritike. Ai gjithashtu ka rrëfyer se ka fshehur trupin e të ndjerit pas krimit.

Ngjarja ka ndodhur natën mes të dielës dhe të hënës, kur sipas hetimeve, tre persona kanë hyrë me forcë në vilën e Valiantes. Ky i fundit ka reaguar me armë gjahu, duke qëlluar në drejtim të tyre.

Prokuroria italiane ka ngritur ndaj tij akuzat për vrasje, fshehje kufome dhe plagosje të rëndë.

Ndërkohë, në Sant’Andrea del Pizzone, ku jetonte viktima me familjen, dhimbja është e thellë. Rivaldo Rusi lë pas një bashkëshorte të re dhe një djalë të vogël. Shtëpia e tij është kthyer në një vend pelegrinazhi për dhjetëra bashkatdhetarë, që i janë gjendur pranë familjes në këto ditë zie. /Versus.al/

Poll