Në Gjykatën e Posaçme mbahet sot seanca e radhës ndaj të dënuarit me burg të përjetshëm Laert Haxhiu i cili po gjykohet edhe për disa vepra të rënda penale që ka kryer përveç masakrës së Lushnjës të ndodhur në 2017-ën.
Ndërsa vetë i pandehuri nuk mori pjesë në procesin gjyqësor, sot pritet të dëshmojnë 12 dëshmitarë, mes të cilëve edhe Xhuljano Xhaferraj, vëllai i Fridman Xhaferrajt, 25 vjeçarit që u gjet i vrarë në Korçë në qershor të vitit 2021.
I penduari i drejtësisë Artan Tafani kishte rrëfyer më herët se Laert Haxhiu kishte udhëruar vrasjen e të riut me arsyetimin se ky i fundit kishte folur gjëra që rrezikonin bandën. I pyetur nëse kishte dijeni mbi diçka të tillë, vëllai i të ndjerit tha se kishin dalë fjalë se Laerti kishte gisht në ngjarje, por babai i këtij të fundit ia kishte mohuar.
Dëshmia e tij:
Gjykata: Në këtë proces keni edhe cilësinë e viktimës. Sot jeni thirrur si dëshmitar ndaj Laert Haxhiut.
Gjykata: A keni qenë më parë i dënuar?
Dëshmitari: Po, për vjedhje.
Gjykata: Po tani?
Dëshmitari: Po, jam në Burgun e Fierit për vjedhje.
Prokurori i SPAK: Zoti Xhuliano, faleminderit që keni ardhur. Ju jeni këtu për të dëshmuar për vrasjen e vëllait tuaj, Fridman Xhaferraj.
Xhuliano Xhaferraj: Isha në burg, më çuan në komisariat dhe më pyetën: “A ke folur, a di gjë?” E verifikuan. Pas disa orësh e gjetën që ishte im vëlla.
Prokurori i SPAK: Të nxorën nga burgu?
Dëshmitari: Atë ditë u lirova me urdhër lirimi, sepse e mbarova dënimin. Nuk kisha marrë vesh gjë. Kur vajta në shtëpi, pashë policët që po bënin kontroll.
Prokurori: Kur u lirove, ku shkove?
Dëshmitari: Te shtëpia e vjehrrit.
Prokurori: A e kishin marrë vesh prindërit?
Dëshmitari: Nuk i kam prindërit.
Prokurori: Po vëllai Fridman ku jetonte?
Dëshmitari: Ai kishte ikur. Më kishte thënë se ishte jashtë. Kisha rreth 20 ditë që më kishte thënë në burg se do të ikte jashtë shtetit, në Itali. Unë isha ndarë dhe isha me fëmijët e me nusen, ndaj ai nuk më tregonte shumë. Ne ishim tre fëmijë: unë, Fridmani dhe Aleksandri. Atij i kishin prerë djemtë biletën dhe në Elbasan ishin ndarë. Ishte bashkë me Lul Spahinë dhe Kristi Bixherin. Këta emra m’i ka thënë vëllai tjetër. Kur Fridmani ishte gjallë, ishte me këta. Vëllai i vogël e la Fridmanin me Lulin dhe Kristin në Elbasan dhe ishte larguar. Fridmani do të ikte në Greqi.
Dëshmitari: Kaq di. Nuk di gjë tjetër, sepse kam qenë në burg.
Prokurori: Kur t’i tha këto vëllai, t’i tha në burg apo te shtëpia e vjehrrit?
Dëshmitari: M’i tha te shtëpia e vjehrrit.
Prokurori: Kush mendon se e vrau vëllain tënd?
Dëshmitari: Nuk e di. Qamili, babai i Laertit, më ka thënë nga afër se ata nuk kishin fare dorë, sepse i kemi tokat afër. Më foli në rrugë dhe më tha: “S’ka dorë djali im.” Unë iu përgjigja: “Nuk di gjë.”
Dëshmitari: Unë e pyeta se çfarë kishte ndodhur, sepse mora vesh që ishte përfolur se kishte qenë me Laertin. Kështu flitej në Lushnjë. Unë nuk di gjë fare.
Dëshmitari: Fjalët në Lushnjë ishin hapur se urdhrin për ta vrarë e kishte dhënë Laerti. Unë kam parë punët e mia.

