AKTUALITET /

Lajmësi nuk vritet!

Gazetarë dhe operatorë të disa redaksive janë sulmuar verbalisht dhe fizikisht nga protestues dhe figura të njohura të opozitës, në një atmosferë të ngarkuar pas rezultateve dërrmuese të zgjedhjeve, që shënuan një nga disfatat më të thella për opozitën shqiptare në vitet e fundit.

Shkruar nga Versus

Lajmësi nuk vritet!

Protesta e Partisë Demokratike e mbajtur sot në Tiranë, pranë Bulevardit "Zogu i parë", është shoqëruar me tensione edhe me incidente serioze ndaj përfaqësuesve të medias. Gazetarë dhe operatorë të disa redaksive janë sulmuar verbalisht dhe fizikisht nga protestues dhe figura të njohura të opozitës, në një atmosferë të ngarkuar pas rezultateve dërrmuese të zgjedhjeve, që shënuan një nga disfatat më të thella për opozitën shqiptare në vitet e fundit.

Sulme të drejtpërdrejta ndaj gazetarëve

Një nga incidentet më të rënda është raportuar ndaj gazetares së Euronews Albania, Sara Demushi, e cila u sulmua dhe u ofendua nga disa protestues gjatë raportimit live. Në një moment, situata u bë aq e tensionuar sa ekipi u detyrua të largohej nga protesta për shkak të mungesës së sigurisë. Një tjetër gazetar u shty dhe i është thyer pajisja e transmetimit nga një individ që identifikohej me një grupim opozitar.

Opozita nën presion dhe agresivitet në rritje

Incidentet ndodhin në një moment kur Partia Demokratike, e ndarë në fraksione dhe në një krizë të thellë identiteti, është përballur me humbje të theksuara në zgjedhjet e fundit. Në shumë qarqe, përfaqësuesit e PD-së nuk arritën të marrin mandate, përfshirë edhe bastione të dikurshme të së djathtës. Kjo humbje ka nxitur jo vetëm tension të brendshëm në parti, por edhe një sjellje gjithnjë e më agresive ndaj mediave që raportojnë realisht për gjendjen e saj politike.

 Reagime nga organizatat e gazetarëve

Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Evropianë (AEJ) ka reaguar menjëherë, duke dënuar ashpër gjuhën dhe sjelljen agresive të disa pjesëmarrësve në protestë, përfshirë edhe figura politike. “Një shoqëri demokratike nuk mund të pranojë dhunën ndaj gazetarëve. Media ka të drejtë të raportojë lirshëm, sidomos në momente kyçe si protestat politike. U bëjmë thirrje autoriteteve që të garantojnë mbrojtjen e gazetarëve”, thuhet në deklaratën e AEJ-së.

Po ashtu, Sindikata e Punonjësve të Medias në Shqipëri kërkoi që autorët të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi ligjore. “Agresioni ndaj gazetarëve është një shkelje e rëndë e të drejtës për informim dhe një kërcënim për demokracinë”, thekson reagimi.

Një klimë e rrezikshme për lirinë e medias

Kjo nuk është hera e parë që gazetarët në Shqipëri përballen me presion apo dhunë gjatë protestave. Megjithatë, përmasat që mori dhuna sot dhe fakti që u nxit nga një opozitë që sapo ka dalë e dërrmuar nga një proces zgjedhor, ngre shqetësime serioze për përshkallëzimin e klimës kundër medias. Në vend që të reflektojnë për rezultatin dhe humbjen, disa liderë dhe mbështetës të opozitës po zgjedhin të drejtojnë zhgënjimin e tyre kundër gazetarëve, të cilët thjesht po kryejnë detyrën.

Organizatat e medias vendase dhe ndërkombëtare kanë kërkuar që të vendoset një standard i qartë: dhuna ndaj gazetarëve nuk është e pranueshme dhe nuk mund të përdoret si instrument për të fshehur realitetin politik. Në një kohë kur Shqipëria aspiron integrimin në BE, liria e shprehjes dhe siguria e gazetarëve mbeten test i rëndësishëm për maturinë demokratike të vendit. /Versus.al/

Poll