Gazetari Osman Stafa ka publikuar në Facebook një status të fuqishëm ku tregon kontrastin mes deputetëve të Republikës së Shqipërisë dhe pacientëve të Spitalit Onkologjik.
Në foton e parë, deputetët shihen të ulur rehat në kolltuqe me ajër të kondicionuar, duke diskutuar për procedura dhe akuza, pa ndonjë lidhje me hallet e pacientëve.

Në foton tjetër, pacientët e Onkologjikut shihen duke bërë kimioterapi në kushte të vështira: në karrige me rrota, karrige druri dhe pranë qeseve të mbeturinave, pa poltronë dhe pa pajisje të mjaftueshme trajtuese.

Stafa thekson se këta pacientë paguajnë për çdo gjë, që nga parkingu tek shërbimet e trajtimit, ndërsa ata që mund të ndërhyjnë për të përmirësuar situatën nuk e bëjnë.
Gazetari ironizon mbi “rendin e ditës” të deputetëve, duke pyetur nëse ai mund të ekzistojë kur pacientët janë pa trajtim dhe në kushte çnjerëzore.
Statusi përfundon duke treguar kontrastin mes privilegjeve të politikës dhe vuajtjeve të pacientëve: “Të parët marrin dieta, privilegje dhe benefite, ndërsa të dytët paguajnë çdo gjë për të mbijetuar.”
Stafa shprehet se fotografia e pacientëve është ditët e fundit në spitalin Onkologjik.
Statusi i plotë i gazetarit Osman Stafa:
Dy botë në një shtet
Në këtë foto janë deputetët e Republikës së Shqipërisë.
Në foton tjetër janë pacientët e Spitalit Onkologjik.
Të parët, të ulur në kolltuqe me ajër të kondicionuar, rehatshëm. Flasin për procedurë. Flasin për akuza e kundërakuza, por jo për këta të dytët.
Të dytët janë këta që janë në karrige me rrota, karrige druri, dhe pranë qeseve të mbeturinave. Ata janë pacientët e Spitalit Onkologjik. Po bëjnë kimioterapi. Se nuk ka poltronë, ata bëjnë kimio në kushte ç'njerëzore. Ata nuk thërrasin se kimiot po i bëjnë në karrige me rrota, hallet e tyre janë aq të mëdha, sa nuk kanë më as zë, t'i bërtasin.
Ata që mund të ngrenë zërin për ta, nuk e bëjnë këtë. Ata kanë hallin e rendit të ditës. Po a njeh rend dite kanceri, e kushtet ç'njerëzore në Onkologjik? A mund të ketë rend dite, kur pacientët me kancer janë pa kimio, pa pajisje trajtuese e diagnostikuese, e pa poltronë?
Të parët marrin dieta, privilegje, rrogë të majme, e benefite të tjera.
Ndërsa të dytët paguajnë parkingun në QSUT, paguajnë për poltronin, paguajnë tek mjekë për të marrë një shërbim pa sorollatje, e për një fjalë të mirë.
Këta të parët mund të ngrenë zërin për të dytët, që situata të rregullohet, por në orbitën e shumë prej tyre këto 'akte ç'njerëzore' nuk ekzistojnë.
p.s Foto e pacientëve të Onkologjikut është e ditëve të fundit./Versus.al
