Kleanth Bylyku, i njohur edhe me identitetin Armando Gega, është lënë në qeli me vendim të Gjykatës së Vlorës, që ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 42-vjeçarin. Ai u ndalua disa ditë më parë në Vlorë, si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Renato Hoxhajt më 27 prill, në lagjen “Hajro Çakërri”.
Sipas hetimeve paraprake, rezulton se vrasja e 58-vjeçarit, i cili punonte si roje pallati në ndërtim, është porositur nga Dubai, nën dyshimin se viktima kishte luajtur rolin e informatorit për llogari të kundërshtarëve të një grupi kriminal.
Roli i Bylykut dhe të tjerëve në skemën e krimit
Hetimet kanë zbuluar se Kleanth Bylyku dyshohet se ka bashkëpunuar ngushtësisht me autorin e dyshuar të vrasjes, i identifikuar paraprakisht si një shtetas rumun ende në kërkim. Bylyku akuzohet se ka siguruar armën e krimit, ka udhëtuar me autorin në të njëjtin automjet dhe ka dhënë informacione për lëvizjet e viktimës, duke i mundësuar ekzekutorit të finalizojë atentatin.
Po në kuadër të hetimeve, policia ka arrestuar edhe Eris Mehmetajn, i dyshuar si personi që siguroi automjetin e përdorur për t’u larguar nga vendngjarja. Dyshohet se Mehmetaj ia ka dhënë mjetin autorit para krimit, dhe se targat e makinës janë ndërruar për të shmangur identifikimin nga autoritetet.
Si ndodhi vrasja
Renato Hoxhaj, 58 vjeç, u vra mëngjesin e 27 prillit pranë banesës së tij në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë. Ai u qëllua me tre plumba – dy në kokë dhe një në trup – dhe ndërroi jetë në vend.
Ekzekutimi ndodhi pranë objektit ndërtimor ku punonte si roje. Bashkëjetuesja e tij dëgjoi të shtënat dhe, pasi doli jashtë, e gjeti partnerin e saj të pajetë në rrugë, të mbuluar me gjak. /Versus.al/







