
Detaje të reja janë mësuar rreth masakrës me 2 të vrarë dhe 2 të plagosur që u shënua mëngjesin e 8 shtatorit brenda një lokali në qendër të Shkodrës. Duke përdorur kamerat e sigurisë përreth zonës, policia po rindërton të gjithë ngjarjen dhe po analizon lëvizjet e vrasësit Ragip Gila.
Ky i fundit ka dhënë dëshmi kontradiktore kur u pyet sesi kishte arritur të largohej nga vendngjarja. Ndërkohë është marrë në pyetje edhe Mustafa Lici, babai i të ndjerit Hamza Lici, të riut që u ekzekutua vitin e kaluar në Dobraç pasi rezulton se banesa ku policia gjeti armë dhe municion luftarak, është në emrin e motrës së Mustafa Licit e cila jeton jashtë shtetit.
Ky i fundit, ka deklaruar në polici se e motra e ka dhënë me qira banesën dhe se do të vërë në dispozicion të autoriteteve edhe një kontratë qiraje. Dyshimet e policisë janë se krahas Barush alias Bajram Bregut dhe 17 vjeçarit që u shpallën në kërkim për bazën e armatimeve në banesën e motrës së Mustafa Licit, vrasësi Ragip Gila ka patur edhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Pista kryesore e hetimit është larja e hesapeve. Gila ka deklaruar se kishte patur konflikt me shënjestrën Erogen Brajoviç, ndërsa ky i fundit i cili mbeti i plagosur tha se as nuk e njeh autorin. Versus.al







