
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka u paraqit paraditen e sotme në SPAK ku qëndroi për më shumë se 1 orë. Pasi doli nga Prokuroria e Posaçme, Noka deklaroi se ishte thirrur për kallëzimet që PD kishte bërë lidhur me ngjarje të ndodhura gjatë fushatës elektorale dhe ditën e zgjedhjeve.
Sipas Nokës, task-forca e krijuar për të luftuar krimin zgjedhor, kishte “vdekur” po ditën që u firmos.
“Ne nuk jemi organi hetimor. Presupozohet të ishte ky që është këtu mbrapa. Isha për një sërë kallëzimesh që lidhen vetëm me krime zgjedhore. Po ua përsëris konstatova që task forca e krijuar për krimin zgjedhor kishte vdekur po atë ditë që ishte krijuar”- deklaroi Noka.
Sa i takon hetimeve të SPAK për kontratën e lobimit të PD në SHBA, Noka tha se çdo informacion i kërkuar i ishte vënë në dispozicion Prokurorisë së Posaçme.
“Jemi PD forcë demokratike, çdo gjë ua kemi vënë në dispozicion,. Transparenca është ajo që neve na karakterizon në mënyrë absolute”- shtoi ai.
Kujtojmë se kjo është hera e dytë që Noka paraqitet në SPAK, ndërsa në 2024-ën u mësua se ndaj tij kishte nisur një hetim pasuror. Versus.al







