AKTUALITET /

“Më duket si Kavalishenca”, Meta flet nga qelia: Kam mësuar të gatuaj, luaj ping-pong me sportistë nigerianë

Shkruar nga Versus

“Më duket si Kavalishenca”, Meta flet nga qelia: Kam

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dhënë një intervistë me shkrim për emisionin “Opinion” që më pas është gjeneruar me zë dhe figurë me anë të Inteligjencës Artificiale.

Fillimisht Meta zbuloi se kohën në qeli po e kalon shumë më ndryshe nga çfarë imagjinohet duke e krahasuar edhe me pushimet te Kavalishenca. Ai tha se për herë të parë ka mësuar të gatuajë dhe se po luan sporte të ndryshme duke mundur edhe sportistë nga Nigeria.

Lidhur me mënyrën e arrestimit të tij, Meta u shpreh se çdo gjë ishte e planifikuar nga Rama dhe se para se të ndodhte ndalimi i tij, rruga kishte qenë e bllokuar për 200 metra duke krijuar kaos.

Më tej u shpreh se në zyrat e Partisë së Lirisë, kishte përgjues të vendosur nga zyrtarë të partisë menjëherë pasi SPAK kishte nisur hetimet ndaj tij.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Si është jeta juaj në izolim? Me se merreni gjatë ditës?

Ilir Meta: Dita ime është fantastike. Më duket sikur jam në kavalishencë. Gjithë ditën lexoj dhe shkruaj. Po kështu tre herë në ditë bëj lëvizje dhe stërvitje si kurrë më parë. Për herë të parë në jetën time kam mësuar të gatuaj, se kurrë nuk kam gatuar në konvikt. Kam mësuar gjëra të jashtëzakonshme që do të më ndihmojnë shumë për të ardhmen.

Nuk e konsideroj kohë të humbur, por kohë të fituar. Natyrisht që kam parë se sa njerëz të pafajshëm ndodhen këtu vetëm që dikush të mburret me statistika të cilat vrasin jetë njerëzish  dhe familjarësh.

Duhet një reformë e vërtetë në sistemin e burgjeve dhe paraburgimit, pasi mbi 60% e njerëzve këtu ose janë të pafajshëm ose mund të hetoheshin në gjendje të lirë, pranë familjarëve të tyre.

Duhet rishikuar Kodi Penal dhe gjithë politika penale, e cila lejon shumë abuzime në interpretim dhe shkatërron jetë njerëzish, për të cilat askush nuk mban përgjegjësi.

Po kështu duhen dyfishuar pagat e policisë së burgjeve, sepse kanë një punë me shumë tension dhe paga skandaloze. Përveçse edhe vaktin e premtuar prej kohësh nuk e marrin. Harrova të të them se në ping–pong jam më mirë se kurrë në jetën time duke mundur edhe sportistë nga Nigeria.

Pyetje: Arrestimi juaj pati shumë kritika. Por policia u mbrojt me idenë që ju e kundërshtuat atë. Është e vërtetë?

Ilir Meta: Cila polici? Ajo me maska apo pa maska? Po pse policë ishin ata?

Ata ishin vetëm banditë me maska, pa numër identifikimi, që nuk u prezantuan, por vetëm ulërinin dhe që nuk paraqitën asnjë copë letër të firmosur nga SPAK-u ose vetë policia e shtetit.

Po kështu, ajo që ju keni parë në videot e shpërndara nga Edi Rama, ishte vetëm një sekuencë përfundimtare e gjithë asaj maskarade kriminale.

Sepse ajo skenë bllokimi të trafikut e të kontrollit të makinave ka ndodhur për minuta të tëra, të paktën 200 metra para makinës time që ju shihni dhe ne nuk po kuptonim ç’po ndodhte , nëse këto ishin Forca Speciale që po kërkonin ndonjë bos të kartelit të Sinaloas apo këta ishin banditë të vërtetë që kishin dalë për grabitje. Janë dhjetëra e qindra qytetarë dëshmitarë të atij terrori që përfundoi te makina ime me ulërima dhe automatikë të rëndë.

Ndërkohë që unë kisha lajmëruar në Facebook konferencë shtypi dhe në orën 14:00 më pristë për drekë një Ambasador i një vendi të Bashkimit Europian. Ndërkohë, që unë nuk kisha asnjë gardist në makinë dhe ata kishin lajmëruar, që unë isha në Prevallë për fundjavë, ku bëra edhe shumë pastime në rrjetet sociale.

Si mund të ketë justifikime për një akt të tillë? Vetëm banda e Sorosit mund te pjellë justifikime të tilla. Do e marrin përgjigjen më 11 Maj. Pastaj kam dy pyetje për ju? Si nuk u gjend një makinë policie për të futur ish–Presidentin e Republikës, por e rrëmbyen me makinë private?

Po kështu, këta banditë që pretendojnë se u shanë e kishin më të lehtë të hynin me kamera profesionale në një makinë ku askush nuk kishte armë apo me automatikë të rëndë? Ndaj 11 Maji do të jetë një Referendum kundër kësaj bande kriminale. A vijoni ende të besoni se ish–bashkëshortja juaj ka bashkëpunuar ose i ka dhënë dokumenta SPAK?

Ilir Meta: Unë jam shumë i qetë se askush nuk e ka mundësinë të më tradhëtojë për arsyen më të thjeshtë se nuk ekziston asnjë dokument dhe asnjë akt ligjor i Ilir Metës në 33 vite jetë publike dhe private.

Po të ekzistonte një i tillë jo vetëm nuk do kishit parë atë skenë kriminale rrëmbimi, që as prindërit e një vrasësi nuk e meritojnë ta shohin në televizor për fëmijën e tyre, por do kishte nisur gjykimi me kohë.

A keni dëgjuar gjë ju që Ilir Metës i kanë sekuestruar ndonjë lek apo euro apo garsionere?

Tradhëtarët i përdorin të gjithë, por edhe i neverisin të gjithë. Ah po, që ka njerëz që kanë qenë në LSI dhe janë marrë peng nga SPAK, këtë e di e gjithë Partia e Lirisë. Një prej tyre është edhe në listën për deputet të “Rilindjes”. I thirrur disa herë në SPAK për lobimet për shkak të detyrave të tij por edhe se mbulonte edhe financat e LSI.

A kishte në LSI persona që pas hetimeve të SPAK- ut bënë çdo gjë për të minuar Partinë e Lirisë duke vendosur edhe përgjuesa në seli? Po, këtë e dinë të gjithë. A u bënë përpjekje nga këta për të sabotuar Konventën e Partisë së Lirisë kundër nepotizmit në 27 Prill të vitit të kaluar? Po dhe dështuan me sukses.

A kishte në Partinë e Lirisë nga ata që thoshin se Meta do arrestohet sot e nesër ndaj mos e mbështesni se nuk e duan amerikanët (Soros)? Po, kishte.

Po nga ata që pas arrestimit të Metës thërrisnin anetarë të KDK për të shkarkuar Tedi Blushin, “agjentin rus”, a kishte? Po, por ata ishin dhe mbetën sufllaqexhinj të pavlerë dhe të pander, që kanë qenë një kosto shumë e madhe për mua dhe Partinë e Lirisë. Ata tani janë fiks në partinë e tyre, të njerëzve pa dinjitet dhe pa karakter, që kurrë nuk kanë besuar në një ideal apo ide. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: