
Detaje të reja janë zbardhur rreth Ermir Ndreajt, pronarit të “Cinco Cavallit” i cili është arrestuar nga policia gjatë aksionit të nisur mbrëmjen e djeshme për trafikun e lëndëve narkotike.
Duke qenë se ishte emër i njohur për drejtësinë belge, vetëm pak muaj më parë një media belge ka raportuar mbi aktivitetet e dyshimta të Ndreajt dhe lidhjet e tij të mundshme me trafikun e drogës, konkretisht me bossin shqiptar të kokainës, Eldi Dizdari i cili njihet ndryshe si Denis Matoshi.
Gazeta belge shkruan se emri i Ndreajt është përmendur në hetime të mëdha penale në Belgjikë dhe Holandë lidhur me bandën kriminale të Frank De Tank. Në artikull thuhet se biznesmeni me nofkën “Cinco” është nga Bajram Curri i Tropojës dhe zotëron diskotekën e famshme ‘Cinco Cavalli’ në Durrës.
Por ndryshe nga Dizdari i cili fshihej në Dubai, Ndreaj shëtiste i lirë nëpër Tiranë deri në momentin e arrestimit, pa u ruajtur se mund të arrestohej.
Pjesë nga artikulli i publikuar nga media belge:
Në Antverp, Matoshi është gjithashtu në kontakt me një tjetër shqiptar i cili do të luajë gjithashtu një rol të spikatur në skenën e drogës në Antverp: Ermir Ndreaj (44), i njohur ndryshe si Cinco. Cinco vjen gjithashtu nga qyteti i Bajram Currit. Emri i Ndreajt shfaqet në disa hetime të mëdha penale për kontrabandën e kokainës, përfshirë hetimin ndaj klanit Y. dhe Frank De Tank.
Nofka e Ndreajt vjen nga diskoteka e njohur Cinco Cavalli në Dürres, të cilën ai e zotëron. Në Tiranë, ai dhe gruaja e tij Elira drejtojnë restorantin elegant Savoy Garden. Ndërsa restoranti mund të jetë ekskluziv dhe tepër i shtrenjtë, kjo nuk do të thotë se nuk mund të bëhet i zhurmshëm ndonjëherë.
Javën e kaluar, kryetari i trupit gjykues në Dendermonde e dërgoi Ermir Ndreajn në gjykatë në një hetim në shkallë të gjerë për kontrabandën e drogës dhe pastrimin e parave. I arratisuri boshnjak i drogës Sani Al Murdaa është gjithashtu i dyshuar në këtë rast, si dhe biznesmeni nga Antëerp, Yasin M., i njohur ndryshe si Teentje.
Ndryshe nga Denis Matoshi, Cinco nuk fshihet në Dubai. Ai po shëtit nëpër Tiranë si një njeri i lirë, me të dashurën e tij Elira, një avokate, në krah. Meqenëse Shqipëria nuk i ekstradon qytetarët e saj, Cinco nuk ka pse të ketë frikë nga ekstradimi në Belgjikë. Nëse gjykatat shqiptare do ta lënë të paprekur është një çështje tjetër.
Nuk dihet ende nëse arrestimi i Ndreajt është bërë me qëllim ekstradimin e tij drejt Belgjikës apo Holandës. Versus.al







