AKTUALITET /

Miliarda nga tenderat e AKSHI-t, “Soft & Solution” në lupën e BKH-së! Kontrolle në zyrat e biznesmenit Ermal Beqiri

Ndërkohë, kompania “Soft & Solution” vazhdon të jetë një ndër përfitueset më të mëdha të kontratave publike në sektorin e teknologjisë, pa hasur pengesa ligjore apo institucionale në aktivitetin e saj.

Shkruar nga Versus
Miliarda nga tenderat e AKSHI-t, “Soft & Solution” në
BKH/ Ermal Beqiri

Teksa biznesmeni Ermal Beqiri vijon të shpallet fitues në një sërë tenderash publik, përfshirë edhe ato të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe institucione të tjera shtetërore, mësohet se aktiviteti i tij ka rënë në vëmendjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Oficerët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle në zyrat e kompanisë “Soft & Solution”, në pronësi të Ermal Beqirit. Nuk dihet ende nëse këto kontrolle lidhen drejtpërdrejt me tenderat e fituar nga kompania, apo janë pjesë e ndonjë hetimi të iniciuar nga Prokuroria e Posaçme.

Ndërkohë, kompania “Soft & Solution” vazhdon të jetë një ndër përfitueset më të mëdha të kontratave publike në sektorin e teknologjisë, pa hasur pengesa ligjore apo institucionale në aktivitetin e saj.

Emri i Ermal Beqirit u bë i njohur për publikun në vitin 2021. Në atë kohë, ai ishte një inxhinier elektronik 30-vjeçar nga Gjirokastra dhe mbante detyrën e drejtorit të Teknologjisë dhe Informacionit në Rektoratin e Universitetit të Tiranës. Ai u përzgjodh si një nga ekspertët e thirrur për çështjen gjyqësore që zhvillohej ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta në Gjykatën e Lartë.

Roli i Beqirit dhe kolegëve të tij ishte të realizonin ekspertizën mbi videon e njohur si “Meta-Prifti”, në të cilën aludohej për një bisedë mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit, për ndarje parash në shumën prej 700 mijë euro.

Ekspertiza konkludoi se videoja ishte përpunuar dhe se përmbajtja e saj ishte nxjerrë nga konteksti. Në bazë të kësaj ekspertize, Gjykata e Lartë shpalli të pafajshëm Ilir Metën./Versus.al

Poll