AKTUALITET /

Miliona euro dëm, pa laboratorë e analiza të pakryera, ‘Check-Up’-i Vilma Nushit dhe hetimet ‘maratonë’ të SPAK

Neni 256 i Kodit Penal parashikon se shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti për t’u përdorur në vepra me interes publik, dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vite. Por pavarësisht kësaj, SPAK duket se e ka marrë me qetësi këtë çështje duke hetuar Vilma Nushin për 5 vite pa nxjerrë ende asnjë përfundim mbi pretendimet e PD-së në kallëzimet e dorëzuara. Por, të paktën na thanë se po hetohet. Kujdes! Duhet të kemi parasysh se shkelja e supozuar e kontratës është kryer 10 vite më parë, por SPAK ende nuk mund të thojë nëse dhe kur biznesmenja do të shkojë në gjykatë për tu përgjigjur para ligjit.

Shkruar nga Versus
Miliona euro dëm, pa laboratorë e analiza të pakryera,
Ish-ministri që firmosi koncesionin, Ilir Beqaj dhe biznesmenia Vilma Nushi

Pak ditë më parë, pas seancës të zhvilluar në GJKKO për padinë e shpifjes që biznesmenia Vilma Nushi depozitoi ndaj deputetes Albana Vokshi, 3 korriku u caktua si datë për konkluzionet e gjyqit.

Por gjithashtu, u publikua një dokument që tregonte se Vilma Nushi, biznesmenia e akuzuar nga PD për përfitimin e fondeve shtetërore nga koncesioni i ‘Check Up’ pa kryer punë është person nën hetim nga SPAK që prej vitit 2020 pas kallëzimit të depozituar nga Gazment Bardhi, asokohe sekretar i përgjithshëm i PD.

Sipas SPAK, Vilma Nushi është marrë person nën hetim për shkeljet e dyshuara me këtë koncesion. Padia para 5 viteve është bërë edhe ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj, Ogerta Manastirliut, Altin Fanit, administrator i shoqërisë 3 P Life Logistic sh.p.k, Rudina Degjonit, drejtoreshë e përgjithshme e FSDKSH dhe Astrit Becit, ish-drejtor i FSDKSH.  Përveç këtij fakti, pavarësisht se prej 5 vitesh vijojnë hetimet ndaj Vilma Nushit, SPAK nuk ka dhënë ende asnjë informacion mbi ecurinë e tyre apo faktet e gjetura deri më tani. Çështja duket ende larg dyerve të gjykatës.

Por çfarë pretendonte PD për shkeljet në koncesionin e Check Up, të kallëzuar në 2020-ën?

Sipas denoncimit të PD-së, kqyrur nga Versus, Kontrata e fimosur parashikon që kontrolli mjekësor bazë për shtetasit e moshës 40-65 vjeç të jetë falas. Për të kryer këtë shërbim, fituese e tenderit u shpall kompania “Marketing&Distribution” në pronësi të Vilma Nushit. Në kallëzim thuhet se kjo kompani e mori licencën e shërbimeve mjekësore vetëm 2 ditë para se të skadonte afati i dorëzimit të ofertave për tenderin e Check Up. Pasi fitoi koncesionin, më 9 dhjetor të 2014-ës, kjo kompani u bashkua me kompaninë “Trimed” (po ashtu nën pronësinë e Vilma Nushit) për të formuar shoqërinë tregtare “3P Life Logistic sh.p.k” me objekt ofrimin e shërbimit për koncesionin e Check Up.

Dëmi i shkaktuar, sipas kallëzimit të bërë në 2020-ën, kapte shifrën e miliona eurove për 10 vite. 

Miliona euro dëm, pa laboratorë e analiza të pakryera,

Asnjë risk për koncesionarin, pagesa për dhjetëra mijëra kontrolle të pakryera

Në kontratën e lidhur mes koncesionarit dhe FSDKSH-së, ky I fundit është I detyruar ti paguajë 3P Logistics për 357 mijë kontrolle bazë ose check up, një tarifë fikse vjetore. Kjo është dyshemeja e vendosur nga shteti, duke I mbrojtur krahët kompanisë së Vilma Nushit, kompani e cila në fund të çdo viti arkëtonte miliona lekë për një shërbim super të shtrenjtë dhe siç rezultoi më vonë me shumë mangësi e probleme që vunë në dyshim në cilësi e eficencë. Siç dhe u paralajmërua, në fund të vitit 2015, ‘check up’ e kishin kryer 244 440 persona ose rreth 110 000 më pak. Por kontrata ishte blinduar, që biznesmenia Nushi, të merrte pagesat e plota.

Më datë 7 Janar 2015, Ministri i Shëndetësisë, në cilësinë e autoritetit kontraktor, nënshkroi me shoqërinë 3P Life Logistic sh.p.k., kontratën e konçesionit. Kjo kontratë u pasua me nënshkrimin e kontratës së financimit të konçesionarit më datë 08.01.2015 midis Drejtorit të Përgjithshëm të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqërisë konçensionare.

Nënshkrimi i kontratës së konçesionit është njoftuar në Buletinin nr.7, datë 23.02.2015 të Agjencisë së Prokurimeve Publike, ku specifikohet se kontrata mban nr. 3082/20, datë 07.01.2015, me kontraktor 3P Life Logistic, me vlerë 13.833.000.000 lekë (për dhjetë vjet). Sipas shënimit të bërë në seksionin IV.4 “Informacione shtesë”: “vlera e sipërshënuar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjec. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen cdo vit për personat e grupmoshës 40-65 vjeç”!

Pavarësisht këtij njoftimi publik të bërë në Buletinin e APP, PD pretendon se: "Kontrata konçesionare dhe kontrata e financimit të shërbimit, parashikon se vlera e financimit është fikse dhe se ajo nuk mund të jetë më e ulët, sepse nuk llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve të realizuara. Numri i kontrolleve të realizuara merret në konsideratë vetëm nëse është më i lartë, pra vetëm nëse i sjell më shumë fitime konçesionarit. Konkretisht, kontrata e financimit të shërbimit, e cila bazohet në kontratën konçesionare të datës 07.01.2015, parashikon se: “3.1. Pagesa e konçesionarit do të bëhet bazuar në çmimin për njësi në vlerën 1,537 lekë pa përfshirë TVSH për sasinë minimale prej 475,000 kontrolle në vit. 3.2. Pagesa mujore do të bëhet në bazë të numrit të matjeve të kryera nga konçesionari shumëzuar me çmimin për njësi. Në kushtet kur Autoriteti ka marrë përsipër të garantojë konçesionarin me mbështetje financiare për vlerën e matjes së parametrave për 475,000 persona, pagesa mujore që kryehet për konçesionarin në pikën 3.3 të kësaj kontrate do të shtohet me diferencën midis pagesës minimale mujore të garantuar (475,000 kontrolle në vit/12 muaj) dhe të vlerës së përcaktuar në pikën 3.3.”.

Në shpjegimet e tij përpara Komisionit Parlamentar në seancën dëgjimore të sipërcituara, Ministri i Shëndetësisë  Ilir Beqaj, e ka jusitifikuar këtë pagesë dhe detyrim kontraktual, duke u shprehur se: “Në mënyrë që kjo të funksiononte, duhej minimumi të garantonte 475,000 vetë, se përndryshe nuk do të funksiononte”.

Në denoncimin e Partisë Demokratike vihet në pah dhe terri informativ në të cilin ndodhej FSDKSH në lidhje me ecurinë e këtij koncesioni, i konsideruar jetik për popullatën. Miliona euro hidheshin drejt koncesionarit, sigurisht para’ tonat, por pa asnjë kontroll nga ‘gardianët e ligjit’. Duke shtuar këtu dhe pagesat për kontrolle të pakryera, një shtrëngesë e jashtëligjshme e shkruar që në nisje të kësaj kontrate:

Pranimi dhe konfirmimi i kësaj situate edhe në kontratën e financimit të nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm FSDKSH, bie ndesh me rregullat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për financimet nga Fondi, si dhe me nenin 12 të ligjit nr. 10383/2011, i cili bën fjalë për financime për shërbime të marra nga personat e siguruar ose jo të siguruar, dhe jo për financime apriori që nuk i janë ofruar qytetarëve. Edhe pika 7 e VKM nr. 185/2014 ngarkon FSDKSH që të financojë shërbimin e kontrollit mjekësor bazë, pra shërbimin që i ofrohet qytetarëve dhe jo supozimin se ky shërbim duhet të ishte marrë. Për më tëpër, ashtu siç konfirmon edhe vetë FSDKSH me shkresën nr. 922/1 Prot., datë 03.03.2016, pagesat për vitin 2015 janë kryer në kushtet kur Sektori i Kontrollit Mjekësor Bazë pranë Drejtorisë së Kujdesit Parësor në FSDKSH, nuk ka patur akses të drejtëpërdrejtë në bazën e të dhënave të personave, por kanë vepruar me të dhënat e marra nga raportet e Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo nënkupton që pagesa është kryer pa verifikuar realisht se sa personave i është ofruar konkretisht ky shërbim dhe nëse realisht i është ofruar. Në këtë pikë sjellim në vëmendjen tuaj se sëfundmi në media, janë denoncuar raste të kontrolleve fiktive të kryera nga konçesionari, ku një qytetar denoncon se pavarësisht se nuk e ka kryer kontrollin, në sistemin elektronik rezulton sikur e ka kryer. Kjo do të kërkonte edhe një hetim të thelluar të organit të prokurorisë, me mashtrimin e mundshëm që është duke kryer konçesionari me numrin e kontrolleve reale të kryera’.

SHKELJE, SHKELJE, SHKELJE...

Analizat pa përgjigjie të qytetarëve

Në kallëzim pretendohet se qytetarët nuk kanë marrë përgjigjie për analizat që kanë kryer në vitin 2015 dhe se mjekët e caktuar si “mjekë familje” pas 2015-ës, janë detyruar të firmosin sikur qytetarët i kanë marrë përgjigjiet. Sipas PD, printimi i këtyre analizave është bërë vetëm në 2019-ën pasi ishte denoncuar publikisht nga demokratët.

"Në pikën 23.3.1 të kësaj kontratë e detyron Konçesionarin që të japë të gjithë informacioni e kërkuar. Nga përgjigjia që ka dhënë në shkresën nr. 922/1 Prot., datë 03.03.2016 të Drejtoreshës së Përgjithshme të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor rezultojne dy rrethana shumë të rënda që në të dyja rastet përbëjnë vepër penale. Së pari Konçesionari nuk ka dhënë përgjigje dhe në këtë mënyrë ka shkelur të gjitha detyrimet kontraktore ose Autoriteti (Ministria e Shëndetësisë) nuk ka ushtruar kontrollet dhe nuk ka qënë e interesuar për përmbushjen e detyrimeve kontraktore. Fakti që nga Konçesionari po printohen në vitin 2019 analizat e kryera në vitin 2015 përbën një shkelje shumë të rëndë të detyrimeve të marra përsipër nga Konçesionari dhe të shpërdorimit të detyrës që ka kryer autoriteti duke lejuar shkelje shumë të rënda me qëllim perfitimi. Lejimi i këtyre shkeljeve është bërë në rastin më të mirë nga paaftësia e autoritetit dhe në rastin më të keq për qëllime përfitimi dhe korrupsioni.", sqarohet në denoncimin e depozituar në SPAK.

Laboratorët e pandërtuar dhe abuzimi me rimbursimin e TVSH-së 

Në kontratën e firmosur thuhet “Ofertuesi do të krijojë minimalisht 20 Laboratorë për të kryer ekzaminimet e kërkuara në objektin e kontratës. Ofertuesi duhet ti referohet specifikimeve teknike minimale për aparaturat dhe paisjet e nevojshme për kryerjen e këtyre ekzaminimeve. Ofertuesi duhet të marri në konsideratë mundësinë për gjurmimin e kampioneve nëpërmjet sistemit të  pozicionimit global”. 20 laboratorët të cilët su ndërtuan kurrë duhet të kalonin në pronësi të shtetit pasi të përfundonte koncesioni. Bën pak sens që këto laboratorë su ngritën asnjëherë, apo jo?! 

Çfarë është edhe më skandaloze, është fakti se në kallëzim thuhet se për të gjithë  laboratorët të cilët kjo kompani duhet t’i siguronte në qytete të ndryshme të vendit (nga 20 janë ngritur vetëm 3), punonin në total 2 mjekë të licensuar.

Gjithashtu një tjetër shkelje duket se është kryer dhe  me TVSH-në e cila si rregull nuk aplikohet mbi produkte mjekësore, por kompania koncesionare ka përfituar rimbursim edhe përse ligji nuk parashikon tatim për to, duke shtuar para të shqiptarëve në xhepat e koncesionarit. 

Transporti skandaloz i analizave të qytetarëve

Në disa prej rasteve të paraqitura në kallëzim thuhet se analizat e marra në 10 baule, ndërrojnë 5 makina të ndryshme pasi merren nëpër fshatra të rajonit të jugut.  Më pas analizat dërgoheshin në Tiranë ku kalojnë mespërmes ambienteve të magazinës ku gjenden detergjentë, cigare, pije alkoolike duke rrezikuar kontaminimin. Fakt tjetër që denoncohet është se stafit të qendrave shëndetësore u është imponuar që të mos trajtojnë asnjë person pa bërë më parë check up. Dhe gjithashtu stafi është shpërndarë në terren për të ftuar qytetarët që të bëjnë check up, ndërkohë që diçka të tillë duhet ta bënte vetë kompania e Vilma Nushit. Me pak fjalë stafi shëndetësor ka qenë tërësisht në shërbim të koncesionarit, pa asnjë pagesë. Asokohe vetë bluzat e bardha flisnin për presione të ndryshme nga eprorët për te arritur një numër të caktuar të analizave 'check up'. 

Përfshirja e ministrit Ilir Beqaj me kompaninë e tij Intech+

Për të kryer informimin e qytetarëve për check up, kompania e Vilma Nushit kontraktoi edhe kompaninë “Intech+” në pronsi të ministrit, asokohe Ilir Beqaj. Kjo kompani përfitoi 2 milionë euro për të kryer një shërbim që në fakt kryhej nga stafi i qendrave shëndetësore të cilët u nxorën në terren për të njoftuar qytetarët që të kryenin analizat e Check Up për të cilat nuk morën as përgjigjie. Sa i takon analiave të Check Up-it të kryera në 2015-ën, kallëzimi thotë se vetë ministri Ilir Beqaj e pranoi se shërbimi u është ofruar vetëm 244.440 personave, ndërsa pagesa i është bërë kompanisë së Vilma Nushit për 357.000. Pra i janë paguar para më shumë për 111.000 analiza të pakryera.

Denoncimi shtesë në 2023-shin

Duke kërkuar që SPAK të niste hetimet për të zbuluar atë që e quajti “mashtrim” me Check Up-in, Albana Vokshi ka denoncuar se skema e përfitimit të parave nga buxheti i shtetit për shërbime të pakryera, ka vijuar edhe gjatë vitit 2022.

Sipas saj, një argument shtesë për ta mbështetur këtë pretendim është fakti se në vitin 2022, sëmundjet kronike janë shtuar me mijëra raste më shumë, po ashtu edhe shtrimet në spitale dhe rritja e sëmundshmërisë duke treguar se nuk ka patur efektshmëri në fondet e përdorura për koncesionin e analizave të Check Up.

Hetimet e 'vështira' për Vilma Nushin 

Neni 256 i Kodit Penal parashikon se shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti për t’u përdorur në vepra me interes publik, dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vite. Por pavarësisht kësaj, SPAK duket se e ka marrë me qetësi këtë çështje duke hetuar Vilma Nushin për 5 vite pa nxjerrë ende asnjë përfundim mbi pretendimet e PD-së në kallëzimet e dorëzuara. Por, të paktën na thanë se po hetohet. Kujdes! Duhet të kemi parasysh se shkelja e supozuar e kontratës është kryer 10 vite më parë, por SPAK ende nuk mund të thojë nëse biznesmenia do të shkojë në gjykatë për tu përgjigjur para ligjit. Ndërkohë ajo kontratë, u lidh me shpresën e megafonin e shëndetit të qindra mijëra shqiptarëve. Lekët janë marrë, por siç themi zakonisht s'kemi çfarë bëjmë, shëndetin (mos) të kemi.  Versus.al

Poll