Një ngjarje e pazakontë dhe e mbuluar me mister ka ndodhur në Durrës. Një grua 57-vjeçare me shtetësi kineze është gjetur pa shenja jete brenda një taksie të braktisur, pranë zonës së njohur si “Ura e Dajlanit”.
E pajetë, në sediljen e pasme. Pa asnjë shenjë dhune të dukshme, dhe me shoferin e zhdukur pa asnjë gjurmë. Burime nga Spitali Rajonal i Durrësit konfirmuan se ajo është transportuar e vdekur, ndërsa trupi i saj tashmë i është nënshtruar ekzaminimeve të mjekësisë ligjore.
Kush ishte gruaja kineze? Pse ndodhej e vetme në taksi? Çfarë ndodhi gjatë udhëtimit të saj të fundit? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që kanë ngritur hetuesit, të cilët tashmë janë në ndjekje të taksistit misterioz që, sipas informacioneve paraprake, ka braktisur mjetin dhe është zhdukur menjëherë pas ngjarjes.
Grupi hetimor po punon intensivisht për këqyrjen e trupit, mbledhjen e pamjeve filmike në zonë, dhe identifikimin e itinerarit të fundit të taksisë, ndërsa pista kryesore mbetet ende e paqartë natyrale, aksidentale, kriminale apo e lidhur me motive personale?







