Sipas ish-prokurorit të Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, grupet kriminale të familjeve Bajri dhe Lici kanë më shumë se 20 vite jetëgjatësi kriminale, duke ndërtuar një strukturë të sofistikuar dhe të paprekur nga drejtësia shqiptare për dekada me radhë.
Strukturim e rezistencë ndaj shtetit
“Nëse flasim për krim të organizuar jetëgjatë dhe të rrezikshëm në Shqipëri, grupi i Bajrave është shembulli më tipik,” – deklaroi Beçi.
Ai thekson se ky grup jo vetëm që ka rezistuar arrestimeve dhe hetimeve, por ka arritur të krijojë një dominancë të frikshme, duke u shndërruar në një fuqi lokale me ndikim të madh.
“Bajrët janë një grup që krijon dominancë dhe bëhet i rrezikshëm, dhe kanë shfaqur prirje për të depërtuar edhe në politikë – një metamorfozë që ndodh zakonisht në grupet më të konsoliduara kriminale,” u shpreh ish-prokurori.
Shkodra në alarm
Referuar situatës aktuale në Shkodër, Beçi paralajmëron se alarmimi i qytetarëve është i lartë, pavarësisht se prania policore në qytet është e dukshme.
“Qyteti kontrollohet nga policia me uniformë, por jo nga ajo kriminale, që duhet të jetë ajo efektive, e hetimit dhe e inteligjencës. Nuk mjafton forcë fizike, duhet informacion për të parandaluar aktet kriminale”, thotë ai.
Ish-prokurori ndalet edhe te gjakmarrja në Shkodër, një fenomen që vazhdon të jetë i fortë dhe i lidhur me strukturat e krimit të organizuar.
Sipas tij, gjakmarrjet shpesh përdoren si justifikim për hakmarrje të planifikuara nga grupet kriminale që duan të ruajnë kontrollin dhe terrorin në territorin e tyre.
Ndikimi i familjes Bajri dhe grupeve të ngjashme nuk është i kufizuar vetëm në Shkodër. Beçi vë në dukje se Elbasani, Vlora dhe Fieri janë gjithashtu qytete me nivel të lartë rrezikshmërie, ku grupet kriminale përfshihen në trafik ndërkombëtar droge, me lidhje deri në Amerikën Latine.
Një nga shqetësimet më të mëdha që ngre Beçi është fakti që për më shumë se dy dekada, këto struktura kriminale nuk janë goditur seriozisht nga drejtësia shqiptare.
Sipas tij, mungesa e një qasje të koordinuar dhe inteligjente ka bërë që grupet si ai i Bajrëve të mbijetojnë, të përparojnë dhe tashmë të ambicionojnë fusha si biznesi dhe politika, ku rreziku për kapje të shtetit është i lartë.
Eugen Beçi thekson se nuk është çështje “forcash shtesë” në terren, por informacioni dhe hetimi inteligjent janë çelësi për të frenuar këtë përbindësh të heshtur që është ngritur brenda shtetit.
“Nëse nuk ndalohen tani, do të jetë vonë. Krimi i organizuar nuk pret, ai ndërton. Dhe Bajrët kanë ndërtuar për vite të tëra, pa u penguar nga askush,” përfundoi ai.







