Monopatinat elektrike po shndërrohen me shpejtësi në një burim të rrezikshëm aksidentesh në rrugët e Shqipërisë, teksa përdorimi i tyre masiv nuk po shoqërohet me masa të qarta ligjore apo siguri infrastrukturore.
Sipas të dhënave të siguruara nga Spitali Universitar i Traumës, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 694 raste të personave të lënduar nga aksidentet me monopatina elektrike. Ndërkohë, vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2025 janë paraqitur 212 raste të tjera, çka tregon për një tendencë shqetësuese në rritje.
Të rinjtë, më të prekurit
Pjesa më e madhe e të dëmtuarve janë të rinj nga mosha 15 deri në 30 vjeç, por ka edhe fëmijë dhe të moshuar në listën e viktimave — si drejtues, ashtu edhe kalimtarë të rastit. Mjekët raportojnë se dëmtimet janë shpesh të rënda: fraktura në kokë, shtyllë kurrizore, gjymtyrë, si dhe trauma të organeve të brendshme.
Kaos ligjor dhe mungesë rregullash
Në Shqipëri mungon ende një kuadër ligjor i dedikuar për përdorimin e monopatinave elektrike. Aktualisht, zbatohen të njëjtat rregulla që vlejnë për biçikletat, ndonëse specifikat teknike dhe rrezikshmëria e monopatinave janë të ndryshme. Nuk ka përcaktim për moshën minimale të përdoruesve, shpejtësinë maksimale apo zonat ku ato mund të qarkullojnë.
Në rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera vihen re çdo ditë përdorues pa helmeta mbrojtëse, shpesh në grupe prej dy personash mbi një mjet të vetëm, duke rritur ndjeshëm rrezikun e aksidenteve. Problematike është edhe shpejtësia e lartë dhe vështirësia në frenim, veçanërisht gjatë natës, kur ndriçimi i mjeteve është i dobët ose mungon fare.
Infrastrukturë e papërshtatshme
Një tjetër faktor që kontribuon në rrezikshmërinë e përdorimit të monopatinave është infrastruktura e dobët. Trotuaret e ngushta, mungesa e korsive të biçikletave dhe ndarjet e paqarta të rrugëve i ekspozojnë përdoruesit dhe kalimtarët ndaj aksidenteve.
Pa strategji, me pasoja
Megjithë rritjen e përdorimit të monopatinave, autoritetet shqiptare nuk kanë ende një strategji të qartë për menaxhimin e tyre. Burime nga Policia Rrugore bëjnë me dije se janë ndërmarrë masa sporadike si gjoba dhe sekuestrime të mjeteve, por në mungesë të një baze të qartë ligjore, këto mbeten të pamjaftueshme për të frenuar fenomenin.
Teksa rrugët po mbushen me mjete të reja dhe teknologji alternative transporti, eksperienca po tregon se pa rregulla të qarta dhe investime në siguri, përfitimet e modernizimit rrezikojnë të kthehen në tragjedi të përditshme./Versus.al/







