Paraditen e sotme një aksident i rëndë tronditi kryeqytetin pasi një mjet i marketit “Pro natyra” përplasi tre të mitur që qarkullonin me 2 monopatina në zonën pranë Piramidës.
Policia shoqëroi drejtuesin e mjetit për veprimet e mëtejshme, por në raste të tilla nuk mjafon vetëm fajësimi i shoferit.
Mjetet monopatina prej kohësh janë bërë problem serioz për drejtuesit e automjeteve për shkak se nuk kanë asnjë lloj elementi sigurie dhe as sinjalizues për qarkullimin e tyre në rrugë. Kushdo që qarkullon me makinë në Tiranë, shpesh haset me monopatina që u vijnë në mënyrë të “beftë” nga kahe të ndryshme të rrugës. Ajo çfarë bie në sy është sesi këto mjete të pasigurta drejtohen nga fëmijë me liri të plotë.
Deri më tani, autoritetet kanë dështuar në përpilimin e një rregulloreje qarkullimi për këto mjete edhe pse për një periudhë të caktuar u aplikuan gjoba ndaj drejtuesve të tyre.
Çfarë thotë ligji për monopatinat?
Neni 188 i Kodit Rrugor shprehet se: Qarkullimi me anë të patinave, karrocave ose me të tjerë shpejtues lëvizjeje është i ndaluar në karrexhatat e rrugëve.
Në shkurt të vitit 2024, DPSHTRR përpiloi një projektligj për ndryshime të Kodit Rrugor për patinat elektrike që ka mbetur ende “draft” i pamiratuar. Sipas draftit, kushdo që drejton një monopatinë duhet të jetë më së paku 16 vjeç, të ketë një mjet identifikimi për mjetin dhe të ketë veshur jelek fosforeshent si dhe kaskë mbrojtëse.
Rregulla të tilla kanë mbetur vetëm në letër, pasi në rrugët e Tiranës krejt ndryshe është situata. Këto mjete drejtohen plotësisht jashtë kritereve dhe në sytë e policisë e cila mesa duket vendos të bëjë sikur “nuk sheh” edhe pse monopatinat shpesh drejtohen nga të mitur më të vegjël se 16 vjeç pa asnjë lloj mase sigurie.
Në vende të ndryshme të Bashkimit Europian ky Shqipëria synon të bëhet pjesë, ka raste që policia i ndjek këmba këmbës edhe të rinjtë të cilët i sheh duke qarkulluar me monopatina derisa të sigurohet për moshën e tyre dhe nëse e kanë dokumentacionin përkatës për mjetin.
Ndërsa në Shqipëri, injorimi dhe neglizhenca nga ana e policisë çon në pasoja të rënda, siç ishte edhe aksidenti i sotëm në qendër të Tiranës ku makina përplasi 3 fëmijë që qarkullonin në dy monopatina jashtë çdo kushti sigurie. Versus.al







