
Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha u paraqit sot në SPAK për deklaratat e bëra në shtator të vitit të kaluar ku akuzonte gjyqtaren Irena Gjoka se ishte filmuar duke marrë 500 mijë euro nga një ish-eksponent i PS.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Malltezi tha se ishte pyetur nga prokurorët si person në dijeni. Sa i takon akuzave të bëra nga ana e saj, vajza e kryedemokratit u shpreh se u ishte referuar artikujve të shkruar në media. Ndër të tjera ajo sqaroi se kishte pyetur nëse ekziston një video e tillë dhe bëri thirrje që hetimet të shkojnë më tej në mënyrë që SPAK t’i mohojë apo pohojë pretendimet e saj.
“Unë i jam referuar shkrimeve në media që e akuzonin zonjën në fjalë për ato që ajo nuk i kundërshton dot dhe nuk i ka kundërshtuar, por i ka kërkuar Dumanit t’i lajë fytyrën.
Vë re standartet e dyfishta të kësaj godine këtu që së shpejti do të kthehet në muze të turpit të drejtësisë. Unë pyeta a ekziston një video e tillë, a e disponon SPAK-u një video të tillë? Përgjigja ishte nuk e disponojmë, pork am thënë se duhet që SPAK të na thotë nëse ajo video ekziston apo jo. Tentativa për të larë fytyrën e Irena Gjokës është e dështuar”- u shpreh Argita Malltezi.
Sipas saj, kjo është një përpjekje e SPAK për të shpëtuar figurën e gjyqtares Irena Gjoka. Kjo e fundit firmosi arrestin shtëpiak për babain e saj Sali Berisha. Argita Malltezi vazhdimisht në konferenca për mediat ka hedhur akuza ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm me pretendimin se procesi që po zhvillohet ndaj të atit dhe bashkëshortit të saj Jamarbër Malltezi është tërësisht politik dhe pa asnjë provë ligjore.
Si babai i Argita Malltezit, Sali Berisha po ashtu edhe bashkëshorti i saj, Jamarbër Malltezi janë të pandehur për çështjen që njihet si “afera e privatizimit të ish-kompleksit Partizani”. Versus.al








