Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit sot për herë të parë në SPAK pas vendimit të Apelit të GJKKO që i caktoi “detyrim paraqitje” 2 herë në muaj pavarësisht kërkesës së prokurorëve të posaçëm që kryedemokrati të kthehej në arrest shtëpie. *Para dyerve të SPAK ku ishin mbledhur dhjetëra mbështetës të tij, Berisha akuzoi kryeprokurorin Altin Dumanin se po fle mbi dosje të krimeve zgjedhore. Për të provuar këtë, Berisha lexoi atë që sipas tij është një përgjim në Sky Ecc i realizuar mes një anëtari të bandave të Elbasanit dhe ministrit Taulant Balla. *Sipas Berishës në përgjime, Balla u kërkon bandave garanci për votat në zgjedhjet e 25 prillit të 2021-it në këmbim të arrestimeve të Çapjave siç iu caktua me listë. *Kreu i PD paralajmëroi publikimin fakteve të reja dhe teksa u largua nga SPAK ku gjendeshin edhe disa deputetë demokratë, nuk la pa bërë batuta duke u shprehur se ishte i gatshëm të vinte edhe 3 herë si “detyrim paraqitje”.
Zbardhet shënimi që Sali Berisha iu la prokurorëve të SPAK
Versus.al ka siguruar përmbajtjen e shënimit që kryedemokrati Sali Berisha la në procesverbalin që firmosi sot në policinë gjyqësore në zbatim të masës "detyrim paraqitje" të caktuar nga Apeli i GJKKO.
Berisha e cilësoi si "akt të turpshëm" procesin ndaj tij ndërsa nuk kurseu as akuzat ndaj SPAK dhe kreut të institucionit, Altin Dumani.
"Ky është një akt i turpshëm politik me të cilin prokuroria në kundërshtim me kushtetutën kërkon të më ndalohet fjala e lirë, dhe një gjykatës kukull i Partisë vendosi sipas kërkesës së tyre. Unë kam denoncuar dhe do denoncoj bashkëpunimin e Dumanit e kompani me krimin si një organizatë kriminale"- shkruajti Berisha në shënimin e tij. Versus.al
“Tao u kërkoi bandave garanci për votat dhe burgosi kundërshtarët”, Berisha para SPAK publikon përgjime të Sky Ecc për Ballën
Pasi mbërriti gjysmë ore me vonesë në SPAK për të respektuar masën “detyrim paraqitje”, Sali Berisha doli brenda pak minutash dhe dha deklaratë para mediave.
Mes akuzave për SPAK-un, Berisha lexoi edhe disa përgjime të “Sky Ecc” ku sipas tij shfaqen anëtarë të bandave të Elbasanit duke komunikuar me ministrin Taulant Balla të cilit i kërkojnë arrestimin e kundërshtarëve të tyre.
Më tej, sipas Berishës Balla u ka kërkuar garanci për vota në këmbim të arrestimit të kundërshtarëve të tyre.
“Kjo është kartolina për SPAK-in. Më datë 10.02.2020 'Target', njëri nga banditët e bandës së Elbasanit informon me pin “AM580” se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taos tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord t’i kërkonin Taos. Ky mesazh iu përcoll Taos dhe i dhanë afat deri në dhjetor. I kishin kërkuar arrestimin e kundërshtarëve të tyre. Tao iu përgjigj kësaj: A garantoni se gjithë ata njerëz do votojnë për ne nëse vendosim në listë ata që doni në burg? Përgjigjia ishte: PO, ne e garantojmë këtë! Më pas Tao tha: Ata do shkojnë në burg këtë vit. Tao është Taulant Balla, kriminel që është njëri nga të shumtat të dhëna që ka në dosjen e vetë. Përgjigjia është: ne garantojmë votat, nëse arreston ata të listës që kemi dhënë për të arrestuar. Në vitin 25 mars 2021, u arrestuan Çapjat me kërkesën e Çelëve. Në mënyrë që Tao të dilte kampion votash në Elbasan. Nga kjo del që Tao përcakton tenderat dhe vendimet e gjykatave. Merr përsipër me listë arrestimet dhe në kundërpërgjigje, Tao merr garanci për votat. Ky është një aspekt i dokumentave të pafundme që kam unë për organizatën kriminale që e quaj SKAP-i i Partisë”- deklaroi Berisha.
Pas deklaratës para gazetarëve, Berisha doli në podiumin e ngritur përballë protestuesve të pranishëm ku lexoi sërish përgjimet ku sipas tij shfaqet ministri Taulant Balla. Në mbyllje të fjalës së tij ai paralajmëroi publikimin e fakteve të tjera lidhur me anëtarë të qeverisë të implikuar në veprimtari kriminale. Versus.al
Pritet mbërritja e Berishës, dhjetëra mbështetës para SPAK, policia ‘blindon’ zonën (VIDEO)
Pak para mbërritjes së kryedemokratit Sali Berisha në SPAK për të respektuar masën “detyrim paraqitje”, dhjetëra mbështetës janë mbledhur për të protestuar duke iu përgjigjur thirrjes së tij.
Teksa pritet që Berisha të mbërrijë në godinën e Prokurorisë së Posaçme, forca të shumta policie kanë marrë masa sigurie për të shmangur incidentet e mundshme.
Lideri i PD duhet të paraqitet në SPAK 2 herë në muaj për të respektuar masën “detyrim paraqitje” që iu caktua nga gjyqtari i Apelit të GJKKO-së Engert Pëllumbi. Versus.al
GJKKO vendos sot për “Partizanin”, Berisha paraqitet në SPAK! Mbështetësit e PD protestë para godinës
Tiranë- Gjykata e Posaçme vendos sot nëse dosja e asaj që njihet si “afera Partizani” do të kalojë për gjykim, do të pushohet, apo do t’i kthehet SPAK-ut për plotësim hetimesh.
Vendimi do të merret nga Flojera Davidhi, e njëjta gjyqtare që më 27 nëntor të vitit të kaluar liroi Sali Berishën nga arresti shtëpiak.
Gjithashtu sot në orën 09:30, ish-kryeministri pritet të paraqitet në SPAK në respektim të masës “detyrim paraqitje” të caktuar dy ditë më parë nga gjyqtari Engert Pëllumbi pas kërkesës së dy prokurorëve të SPAK Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai që kryedemokrati të kthehej në arrest shtëpiak.
Paralelisht, PD ka thirrur mbështetësit e saj në protestë para SPAK gjatë momentit kur Sali Berisha do të paraqitet para oficerëve të policisë gjyqësore. Sipas PD, Berisha po përndiqet me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Ish-kryeministri është marrë i pandehur për korrupsion pasiv në dosjen “Partizani”, së bashku me përfituesin dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 persona të tjerë të përfshirë në aferën e privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani. Versus.al








