AKTUALITET /

Murtaja e bagëtive, reagon Ministria e Bujqësisë: Nuk cënon shëndetit e njeriut dhe nuk transmetohet

Shkruar nga Versus

Murtaja e bagëtive, reagon Ministria e Bujqësisë: Nuk cënon

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka konfirmuar shpërthimin e sëmundjes së rrezikshme virale “Murtaja e Ruminantëve të Vegjël” (PPR) në territorin e Shqipërisë, duke evidentuar katër vatra të infektuara në Shkodër, Dibër, Bulqizë dhe Skrapar.

Deri më tani janë prekur 716 krerë të imtash, prej të cilëve 25 janë ngordhur dhe 153 janë eliminuar, ndërsa pjesa tjetër është në proces asgjësimi.

PPR është një sëmundje tepër ngjitëse për dhen dhe dhi, me shkallë të lartë ngordhshmërie deri në 100%, por nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut.

Për të parandaluar përhapjen, që nga data 9 qershor 2025 ka hyrë në fuqi një urdhër i posaçëm i ministrit për ndalimin e përkohshëm të çdo lëvizjeje të dhenve dhe dhive në të gjithë territorin e vendit, përveç rasteve të çuara në thertore me certifikatë shëndetësore veterinare.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka ngritur 39 grupe kontrolli që kanë inspektuar 983 ferma në të gjithë Shqipërinë, duke monitoruar mbi 164 mijë krerë dhen dhe dhi.

Po ashtu, është njoftuar Bashkimi Evropian përmes sistemit të alarmit ADIS dhe është kërkuar ndihma e Komisionit Evropian për të menaxhuar situatën.

Një takim i posaçëm me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe institucioneve shqiptare po zhvillohet në Ministrinë e Bujqësisë, ku do të jepen rekomandimet për kontrollin e sëmundjes.

Ministria u bën thirrje të gjithë fermerëve të bashkëpunojnë ngushtësisht me autoritetet veterinare, të respektojnë masat e biosigurisë dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë në numrin falas 0800 3366. Vetëm përmes ndërgjegjësimit dhe koordinimit të përbashkët mund të ruhet shëndeti i tufave dhe siguria e sektorit blegtoral në vend.

Njoftimi i plotë

Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, bëjmë me dije se sëmundja e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (Peste des Petits Ruminants – PPR) është një sëmundje serioze virale, tepër ngjitëse e ruminantëve të vegjël, e cila ka ngordhshmëri të lartë deri në nivele të 100% të tufës, duke shkaktuar humbje ekonomike, por nuk cenon shëndetin dhe nuk transmetohet te njeriu.

Konfirmimi i parë për sëmundjen e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël në Republikën e Shqipërisë është bërë më 4 qershor 2025, me vendndodhje në fshatin Domen, njësia administrative Postribë, Bashkia Shkodër. Në vijim, rasti i dytë është konfirmuar më 5 qershor në fshatin Vrenjt, njësia administrative Kastriot, Bashkia Dibër; rasti i tretë më 9 qershor në fshatin Val, njësia administrative Martanesh, Bashkia Bulqizë; dhe rasti i katërt më 11 qershor në fshatin Polenë, njësia administrative Qendër, Bashkia Skrapar. Numri total i vatrave (tufave) të raportuara deri më sot është 4. Numri i të imtave të prekur është 716; të ngordhur, 25 krerë; të eliminuar, 153 krerë; ndërsa krerët e tjerë janë në proces eliminimi.

Me konfirmimin e rastit të parë të sëmundjes së Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR), Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së sëmundjes në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në zbatim të Urdhrit nr. 802, datë 9.10.2024, “Për miratimin e Planit Kombëtar të Kontigjencës për Sëmundjen e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël”, është mbledhur menjëherë Qendra Kombëtare e Krizës, me përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Mbrojtjes, për koordinimin e veprimeve dhe marrjen e informacionit mbi masat e marra nga Qendra Rajonale e Krizës, e cilat ka identifikuar Njësitë Administrative dhe fshatrat brenda zonave të mbrojtjes (3 km) dhe të mbikëqyrjes (10 km).

Në Urdhrat e Ministrit është përcaktuar qartë, që për cdo rast të konfirmuar me këtë sëmundje, marrja e masave të kufizimit të lëvizjes së kafshëve të gjalla.

Nisur nga situata shqetësuese dhe përhapja në disa vatra e sëmundjes, prej datës 9.6.2025 ka hyrë në fuqi Urdhri i Ministrit nr. 575, “Për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së dhenve dhe dhive të gjalla në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Ky Urdhër i shtrin efektet e tij në të gjithë territorin e vendit, duke ndaluar lëvizjen e kafshëve të gjalla të llojit dhen dhe dhi nga ferma në fermë, shtegtimin dhe kullotjen në kullota në përbashkëta. Ndalohet përkohësisht tregtimi i kafshëve të llojit dhen dhe dhi në tregjet e kafshëve të gjalla, mjedise te hapura, panaire dhe grumbullime të tjera. Është e lejuar vetëm lëvizja e të imtave vetëm për në thertore, e shoqëruar me certifikatë shëndetësore veterinare, të lëshuar nga veterineri zyrtar i shërbimit. Kjo masë ka karakter të përkohshëm dhe është ndërmarrë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve, sigurisë ushqimore dhe interesit të blegtorëve në vend.

Ftojmë të gjithë subjektet dhe fermerët të zbatojnë me përpikëri këtë urdhër, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet veterinare lokale.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka nga ngritur 39 grupe kontrolli, duke monitoruar deri më sot 983 ferma të imtash, me një total 164.803 krerësh dhen dhe dhi në rang vendi. Qëllimi kryesor i grupeve të kontrollit në terren është monitorimi i fermave të vogla blegtorale, evidentimi i situatës epidemiologjike në terren dhe përcaktimi i fazës aktuale të sëmundjes, si bazë për ndërhyrje të mëtejshme, të orientuara dhe efektive. Gjatë monitorimit, grupet e kontrollit kanë kryer rritjen e ndërgjegjësimit të fermerëve për rrezikun ekonomik që paraqet kjo sëmundje. Gjithashtu, veterinerët zyrtarë kanë bashkëpunuar ngushtë edhe me organet e Policisë e Shtetit, për të mundësuar kontrollin e lëvizjes së kafshëve brenda vendit dhe marrjen e masave për rastet flagrante. Gjatë kësaj kohe shërbimi veterinar ka bërë ndërgjegjësimin e fermerëve duke i informuar mbi sëmundjen e Murtajës së Ruminantëve të vegjël (PPR). Pjesë e ndërgjegjësimit ka qenë edhe përgatitja e posterave për sëmundjen e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) dhe informimi i publikut nëpërmjet faqes zyrtare të AKVMB-së dhe në rrjete sociale.

Gjithashtu, prania e sëmundjes së Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) është njoftuar rast pas rasti në Sistemin e Njoftimit të Menjëhershëm të Sëmundjeve të kafshëve të Bashkimit Evropian (ADIS), dhe është kontaktuar edhe Zyra e Emergjencave për Sëmundjet e Kafshëve pranë Komisionit Evropian, e cila ka shprehur gatishmërinë ndaj kërkesës së MBZHR-së për të dërguar në Shqipëri një mision teknik.

Ditën e sotme dhe nesër, më datë 13.06.2025 po organizohet një takim në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me pjesëmarrjen e dy ekspertëve të Komisionit Evropian, përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, AKVMB-së, ISUV-it dhe Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar të Shqipërisë. Po sot, këta përfaqësues do të kryejnë një vizitë në terren, në një nga vatrat ku është konfirmuar prania e sëmundjes. Në përfundim të vizitës, Misioni Teknik EUVET i Komisionit Evropian do të japë rekomandime në lidhje me menaxhimin e situatës dhe strategjitë e kontrollit të pranisë së sëmundjes së Murtajës së Ruminatëve të Vegjël (PPR).

Kjo përgjigje e shpejtë dhe e koordinuar me DG SANTE ndaj rastit të parë të PPR në vendin tonë është një tregues i përkushtimit të Shqipërisë për të respektuar standardet evropiane në fushën e shëndetit dhe sigurisë veterinare.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i bën thirrje të gjithë fermerëve të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë në fermat e tyre dhe të shmangin çdo lëvizje të kafshëve jashtë fermës, duke zbatuar rregullat në fuqi dhe duke bashkëpunuar për një të mire te përbashkët: ekonominë blegtorale ne vend. MBZHR apelon ndaj të gjithë fermerëve dhe aktorëve të përfshirë në sektorin blegtoral që, për cdo rast të evidentimit të shenjave të dyshimta apo ngordhjeve në të imta, të kontaktojnë menjëherë në numrin e gjelbër 08003366.

Vetëm përmes vigjilencës së lartë dhe bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave shtetërore dhe fermerëve mund të garantojmë mbrojtjen e tufave dhe sigurinë e sektorit blegtoral në vend./Versus.al

Poll