
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar me anë të një shkrimi në rrjete sociale për vdekjen e ish-kryeministrit Fatos Nano, liderit historik të socialistëve.
Duke e konsideruar si personin që krijoi parti moderne të majtë dhe lejoi lirinë e mendimit politik, Salianji shkruan se i ndjeri Fatos Nano përfaqësonte një profil krejt të veçantë nga politikanët e tjerë.
“Fatos Nano, një nga personalitetet më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar, drejtues historik i Partisë Socialiste dhe një nga protagonistët e pluralizmit pas viteve ’90. Edhe pse në krahë të ndryshëm politikë, Fatos Nano përfaqësonte një profil të veçantë, liberal në mendim, i hapur ndaj debatit, me kulturë politike dhe respekt për mendimin ndryshe.
Ai krijoi një parti moderne të majtë, lejoi garën dhe lirinë e mendimit brenda saj, dhe formoi breza politikanësh që vijojnë të jenë aktivë edhe sot. Ngushëllime familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Qoftë i paharruar”, shkruan Salianji. Versus.al
 
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                       

 
	                        
	                        
	                        
	                       