Qeveria shqiptare ka shpallur ditë zie, 26 prillin në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku.
Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë.
Ndërsa ftohen të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private që gjatë ditës së zisë kombëtare të transmetojnë muzikë funebër.
Vendimi u mor në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionit në fuqi, me propozim të Kryeministrit.
Papa Françesku u nda nga jeta në moshën 88 vjeçare më 21 prill.
Vendimi i qeverisë:
SHPALLJE DITË ZIE KOMBËTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e shtunë, datë 26.4.2025, në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje.
2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
3. Ftohen të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private që gjatë ditës së zisë kombëtare të transmetojnë muzikë funebër.
4. Ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë./Versus.al








