
Shqiptarët jo pak herë janë kritikuar për faktin se shumë rrallë protestojnë nëse nuk bëhet fjalë për thirrje nga parti politike. duke qenë në situatë të tillë, përballë një projekti që parashikon ndërtimin e një kulle 32 katëshe në Sarandë, këtë herë janë të huajt që kanë blerë apartamente në këtë zonë që kanë paralajmëruar protest.
Kulla me 32 kate mbi tokë, 9 kate shtesë dhe 4 kate nën tokë, ka ndezur pakënaqësi të madhe për shkak se do të bllokojë pamjen e shumë banorëve e turistëve të cilët shkojnë për detin, por do të mund të shohin vetëm hijen e kësaj godine gjigande.
Në një grup në rrjetet sociale të quajtur “Saranda Expats” ku bëjnë pjesë emigrantë shqiptarë apo shtetas të huaj të cilët kanë blerë apo planifikojnë të blejnë apartament në Sarandë, është bërë thirrje për protestë kundër ndërtimit të kësaj kulle duke kërkuar rrugë më të gjera dhe më shumë gjelbërim dhe jo kulla të tilla. Sipas tyre ndërtesat duhet të jenë deri në 4 kate.
"Nuk e di nëse keni lexuar lajmet, por pritet të ndërtohet një ndërtesë shumë e madhe në qendër të Sarandës. Një ndërtese me 32 kate! Kush do të ishte i interesuar të marrë pjesë në një protestë dhe të mos lejojë më ndërtimin e ndërtesave të mëdha në Sarandë? Të paktën deri në 4 kate! Ne kemi nevojë urgjente për pemë, rrugë të gjera dhe parkingje në vend!" -shprehen të huajt në postim.
Pronari i kullës që pritet të ndërtohet
Në maj të këtij vitit kompania “G&P” sh.p.k mori lejen për të ndërtuar një kompleks banimi dhe shërbimesh me 32 kate mbi tokë, 9 kate shtesë dhe 4 kate nën tokë pranë bashkisë së Sarandës. Mësohet se pas kësaj kompanie qëndrojnë vëllezërit Karamuça dhe konkretisht me më së shumti aksione është Shefki Karamuça, ish-zyrtar i LSI-së dhe ish-kryebashkiak i Vorës gjatë viteve 199-2003. Në gusht të vitit 2015 ai u shfaq si këshilltar i LSI-së, post që e mbajti deri në 2019-ën. Versus.al







