AKTUALITET /

Ndodh në Shqipëri! Punëtori humbi jetën pasi ra nga pallati në ndërtim, arratiset pronari i firmës!

Pamjet filmike të siguruara nga përditshmëria në këtë kantier tregojnë mungesë totale të masave të sigurisë: punonjësit shihen pa pajisje mbrojtëse, pa parmakë mbrojtës dhe të palidhur në lartësi, çka ka rritur ndjeshëm rrezikun për aksidente fatale.

Shkruar nga Versus

 

Ndodh në Shqipëri! Punëtori humbi jetën pasi ra nga pallati

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në një kantier ndërtimi në lagjen “Kushtrim” të qytetit të Beratit, ku një punëtor 66-vjeçar humbi jetën pas një rënieje tragjike nga kati i tretë i ndërtesës ku po punonte.

Viktima, Ramadan Hatija, ishte duke punuar si murator kur humbi ekuilibrin dhe ra nga lartësia. Ai u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal Berat, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë pak minuta pas mbërritjes.

Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët nisën menjëherë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave. Pas verifikimeve të para, Drejtoria Vendore e Policisë Berat konfirmoi se është shpallur në kërkim 65-vjeçari Tahir Numani, pronar i firmës ndërtuese BIFFER & CO SHPK, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes pa dhënë asnjë shpjegim.

Gjithashtu, ka nisur procedimi penal edhe ndaj teknikun e firmës, shtetasit S.B., 69 vjeç. Të dy akuzohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Pamjet filmike të siguruara nga përditshmëria në këtë kantier tregojnë mungesë totale të masave të sigurisë: punonjësit shihen pa pajisje mbrojtëse, pa parmakë mbrojtës dhe të palidhur në lartësi, çka ka rritur ndjeshëm rrezikun për aksidente fatale.

Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se vdekja e Ramadan Hatijës është shkaktuar nga dëmtimet e rënda pas rënies dhe jo nga ndonjë problem shëndetësor i mëparshëm. Në gjak nuk u konstatuan gjurmë alkooli apo probleme të tjera shëndetësore.

Kantieri i ndërtimit është mbyllur përkohësisht nga policia dhe do të qëndrojë i tillë deri në përfundimin e hetimeve. Ndërkohë, trupi i pajetë i viktimës është përcjellë sot për në banesën e tij të fundit në lagjen “Uznovë”.

Kjo nuk është hera e parë që ky kantier përfshihet në incidente të rënda. Vetëm disa muaj më parë, një tjetër punëtor është plagosur në të njëjtin objekt, duke ngritur shqetësime serioze për standardet e sigurisë në punë dhe mbikëqyrjen teknike të subjekteve ndërtuese. /Versus.al

Tags:

arratisje

Poll