AKTUALITET /

Në arrati prej vitit 2023, SPAK shtyn me 3 muaj afatet e hetimit për Arben Ahmetajn

Pjesë e hetimeve janë edhe partnerja aktuale si dhe ish-gruaja e Arben Ahmetajt.

Shkruar nga Versus

Në arrati prej vitit 2023, SPAK shtyn me 3 muaj afatet e hetimit për

Prokuroria e Posaçme ka vendosur për shtyrjen me 3 muaj sa i takon afateve të hetimit ndaj ish-zv kryeministrit Arben Ahmetaj i cili është në arrati prej korrikut të vitit të kaluar.

Ndaj Ahmetajt rëndojnë akuzat për kryerjen e tre veprave penale: Pastrim parash, fshehje pasurie dhe korrupsion pasiv. Hetime po zhvillohen edhe ndaj partneres së tij aktuale dhe ish-gruas së tij.

Në nëntor të 2023-it, Ahmetaj u shpall në kërkim ndërkombëtar pasi nuk u bë e mundur gjetja dhe më pas arrestimi i tij brenda vendit. Akuzat iu komunikuan në mars të këtij viti nëpërmjet avokatit të tij ligjor.

Dyshohet se gjatë kohës që ka mbajtur postin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka ndërmarrë disa akte për t’u mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncesionare në kundërshtim me ligjin. Ish-numri dy i qeverisë Rama, akuzohet për shpërdorim detyre në rastin e privatizimit të kompanisë “Buka”. Ndaj tij, ka edhe hetim pasuror dhe janë vënë në sekuestro dy vila, disa apartamente dhe llogari bankare.

Ahmetaj ka reaguar nga arratia disa herë duke pretenduar se ndaj tij ishte ngritur një kurth nga vetë brenda radhëve të socialistëve. Gjatë intervistave të dhëna nga Zvicra ku ka aplikuar për azil politik, Ahmetaj ka hedhur akuza të forta edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, kryebashkiakut Erion Veliaj. Versus.al

 

Poll