AKTUALITET /

Nesër seanca në Apelin e GJKKO, Meta thirrje mbështetësve: Mos protestoni për mua, e dëmshme

Në reagimin e bërë, Meta shkruan se ka informacione se mund të ketë protesta spontane nesër gjatë seancës në Apelin e GJKKO dhe shkruan se një gjë e tillë do të ishte e padobishme.

Shkruar nga Versus

Nesër seanca në Apelin e GJKKO, Meta thirrje mbështetësve:

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga burgu lidhur me seancën që mbahet nesër në Apelin e GJKKO ku ai dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi kanë apeluar masat e sigurisë të caktuara ndaj tyre për 3 veprat penale të pastrimit të parave, korrupsionit dhe fshehjes së pasurisë.

Në reagimin e publikuar, Meta u ka bërë thirrje anëtarëve të Partisë së Lirisë apo simpatizantëve që të mos protestojnë para gjykatës, duke e cilësuar këtë si një veprim ‘të padobishëm dhe të dëmshëm’.

“Siç jeni në dijeni, nesër në ora 10:00, në Gjykatën e Apelit (GJKKO) zhvillohet seanca gjyqësore me objekt revokimin e masës së paligjshme të arrestit me burg të aplikuar ndaj meje prej një muaji.

Jam në dijeni të iniciativave të personave të paautorizuar nga unë apo spontane për të protestuar përpara gjykatës. Ju bëj me dije se veprime të tilla janë të padobishme dhe të dëmshme. Betejën time ligjore e kam bazuar në parashtrimin e gjithë të vërtetave përpara gjykatës duke denoncuar inekzistencën e provave ndaj meje në këtë proces kryekëput politik.

Në këto kushte, çdo grumbullim apo protestë para gjykatës në ditën e gjykimit i konsideroj si shpërqëndrim të opinionit publik ndaj thelbit të çështjes, ndaj ju bëj thirrje të distancoheni nga çdo iniciativë për grumbullime dhe protesta”- u shpreh Meta.

Ndërkohë deri më tani, nuk ka asnjë njoftim zyrtar mbi një organizim të mundshëm të protestës para Apelit të GJKKO ku mbahet seanca për Metën. Ky i fundit prej një muaji mbahet në paraburgim dhe akuzohet për tre vepra penale, korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Arrestimi i tij u bë mesditën e 21 tetorit teksa kthehej në Tiranë. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: