AKTUALITET /

Nga katër anët e globit, nga do votojnë shqiptarët e Diasporës për zgjedhjet e 11 Majit

Sipas të dhënave nga KQZ, kërkesa janë bërë edhe nga Mongolia, Ishulli Reunion, Ishujt Kuk dhe madje edhe nga Territori i Pushtuar Palestinez, ku, pavarësisht krizës humanitare të shkaktuar nga lufta, një shqiptar që jeton atje dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës.

Shkruar nga Versus

Nga katër anët e globit, nga do votojnë shqiptarët e

Interesi i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit ka qenë i lartë, me mbi 153 mijë kërkesa të bëra në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave është thuajse i përfunduar, dhe sipas të dhënave zyrtare, nga 125,477 zgjedhës që kanë aplikuar për regjistrim, 97,264 janë miratuar, ndërsa 27,892 janë refuzuar.

Ashtu siç pritej, shumica e kërkesave kanë ardhur nga vendet me numër të madh emigrantësh shqiptarë. Italia kryeson listën me 58,332 kërkesa, duke përfaqësuar 38.0% të totalit, e ndjekur nga Greqia me 41,570 kërkesa (27.1%). Gjermania renditet e treta me 18,205 kërkesa, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës (10,937) dhe Mbretëria e Bashkuar (9,340) plotësojnë pesëshen e parë të vendeve me numrin më të madh të aplikimeve.

Ajo që bie në sy është se shqiptarët kanë aplikuar për të votuar edhe nga vende të largëta dhe të pazakonta. Sipas të dhënave nga KQZ, kërkesa janë bërë edhe nga Mongolia, Ishulli Reunion, Ishujt Kuk dhe madje edhe nga Territori i Pushtuar Palestinez, ku, pavarësisht krizës humanitare të shkaktuar nga lufta, një shqiptar që jeton atje dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës.

Miratimi i mbi 97 mijë kërkesave është një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së diasporës në procesin zgjedhor të Shqipërisë. Megjithatë, sfida e vërtetë mbetet zbatimi i suksesshëm i votimit nga jashtë, duke siguruar që shqiptarët e regjistruar të kenë mundësi të votojnë pa pengesa teknike apo burokratike.

Me zgjedhjet e 11 majit që afrohen, mbetet për t’u parë nëse procesi do të ecë pa probleme dhe nëse ky hap do të krijojë një precedent pozitiv për të ardhmen e votës së diasporës shqiptare. /Versus.al/

Tags:

kqz diaspore

Poll