
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me një kërkesë zyrtare lidhur me mënyrën se si po trajtohet si i paraburgosur gjatë seancave gjyqësore.
Në parashtrimet e paraqitura nga mbrojtja, pretendohet se vendosja e tij në një strukturë të izoluar, të njohur si “kafaz me xhama”, përbën shkelje të nenit 3 dhe 30 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe të Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke cenuar prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për një mbrojtje efektive.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, deklaroi se kërkesa synon që ish-presidenti të qëndrojë pranë mbrojtësit gjatë gjithë procesit gjyqësor, për të garantuar komunikim të plotë dhe një gjykim të drejtë në kushte barazie mes palëve. Sipas tij, mbajtja në “kafaz xhami” është diskriminuese dhe paragjykuese, duke e bërë të vështirë komunikimin konfidencial mes të akuzuarit dhe avokatit.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024 dhe ndaj tij rëndojnë akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Sipas hetimeve të SPAK, ai dhe deputetja Monika Kryemadhi dyshohet se kanë favorizuar kompani private dhe janë përfshirë në aktivitete financiare të dyshuara, përfshirë lobime dhe transaksione të ndryshme.
Hetimet janë përmbyllur më 28 korrik, ndërsa në fund të muajit gusht çështja është dërguar për gjykim.

