Përveçse dosjes “Plumbi i Artë”, biznesmeni i zhdukur Ervis Martinaj rezulton i pandehur edhe në dosjen “Revanshi” për të cilën sot SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve dhe dërgimin për gjykim në GJKKO.
Në dosje për Martinajn renditen 11 akuza për vepra penale si “grup i strukturuar kriminal”, organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje, vrasje të mbetur në tentativë si dhe sigurimi i kushteve për të kryer vrasje.
Martinaj akuzohet se më 4 nëntor të vitit 2020 ka bashkëpunuar për të kryer sulmin ku mbetën të plagosur Durim Bami dhe kushëriri i tij Ervin Kodra në Tapizë të Tiranës.
Gjithashtu ai akuzohet nga SPAK se ka siguruar kushtet me qëllim për të kryer vrasjen e kreut të klanit “Duka”, Leonard Dukës, shokut të tij Altin Gega si dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit Elvis Gacës, Fatmir Hysenit dhe Armando Hysenit të cilët i dyshonte sit ë përfshirë në vrasjen e anëtarit të grupit të tij, ish-policit Santiago Malko i cili u vra në 2019-ën, çështje për të cilën dyshohet si organizator, Leonard Duka.
Për operacionin ‘Revanshi”, bazë ishin përgjimet e zbardhura në SkyEcc ku Ervis Martinaj bashkëpunonte me ish-deputetin e PS, Arben Ndokën me qëllim për të eleminuar Durim Bami. Në dosje përmenden edhe grupi i Shullazit dhe i Avdylajve të Shijakut të cilët gjithashtu ishin angazhuar për eleminimin e Bamit, gjë të cilën nuk e realizuan dot.
Po ashtu, SPAK ka zbardhur edhe përgjimet e bisedave mes biznesmenit të zhdukur Ervis Martinaj dhe ish-ortakut të tij, Leonard Dukës me të cilin kishte konflikte biznesi dhe në mesazhet që shkëmbenin të dy dyshonin tek njëri-tjetri për tentativa vrasje. Versus.al



