AKTUALITET /

Nis gjyqi për dosjen Veliaj/ Ajola Xoxa dërgon avokatin! Mbrojtja: Është shtatzënë! Nuk paraqitet as kryebashkiaku i Tiranës

Ka nisur gjyqi në themel për dosjen e Erion Veliajt, ku kryebashkiaku nuk është i pranishëm. Dosja përfshin 13 akuza ndaj tij dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, si dhe 28 persona dhe shoqëri të tjera.

Shkruar nga Versus
Nis gjyqi për dosjen Veliaj/ Ajola Xoxa dërgon avokatin! Mbrojtja:
Erion Veliaj/Ajola Xoxa

Ka nisur sot gjyqi në themel për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, por vetë Veliaj nuk është i pranishëm në sallë.

Gjykimi drejtohet nga gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri, ndërsa relatorë janë Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj. SPAK përfaqësohet nga prokurori Ols Dado.

As Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erion Veliajt nuk është paraqitur në GJKKO për gjyqin.

Ajo ka dërguar në sallë avokatin Maks Haxhia, i cili ka deklaruar se Xoxa nuk mund të marrë pjesë në seancë pasi ia ka ndaluar mjeku të shkojë për shkak se është shtatzënë.

''Klientja është në pamundësi shëndetësore, është shtatzënë, ia ka ndaluar mjeku që të vijë, i kam kërkuar të sjellë aktin e mjekut.'' është shprehur avokati.

Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme vendosi kalimin për gjykim të dosjes ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe 28 personave dhe shoqërive të përfshira në të.

Veliaj ndodhet në arrest me burg që nga 10 shkurt 2025 dhe përballet me 13 akuza, duke përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futjen e sendeve të ndaluara në burg.

Shumica e akuzave lidhen me korrupsion pasiv në 9 raste ndaj disa kompanive që, sipas SPAK, kanë përfituar në mënyrë të parregullt para dhe pasuri të paluajtshme, duke marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.

Biznesmenët e përfshirë akuzohen për korrupsion aktiv dhe pastrim parash, ndërsa ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Po ashtu, Fatjon Baci, gardiani i burgut të Durrësit, akuzohet për “futjen ose mbajtjen e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” pasi i dha telefonin Veliajt gjatë transferimit në gjykatë.

Ky gjyq pritet të japë zhvillime të rëndësishme për të gjithë të përfshirët, ndërsa publikisht po ndiqet me vëmendje nga media dhe qytetarët./Versus.al

Poll