AKTUALITET /

Nis gjyqi për Ilir Beqajn në GJKKO, ish-ministri kundërshton akuzat: Çdo lloj trupe gjyqësore është e paligjshme

Gjatë fjalës së tij, Beqaj e quajti procesin të paligjshëm, duke pretenduar se akuza e re për “vjedhje” nuk i është komunikuar asnjëherë nga Prokuroria.

Shkruar nga Versus
Nis gjyqi për Ilir Beqajn në GJKKO, ish-ministri kundërshton
Ilir Beqaj në SPAK

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka nisur sot procesi gjyqësor në themel ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i akuzuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, në lidhje me çështjen e njohur si “Sterilizimi”.

Seanca e parë u zhvillua përpara trupës gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Irena Gjoka dhe Erjon Çela.

Gjatë fjalës së tij, Beqaj e quajti procesin të paligjshëm, duke pretenduar se akuza e re për “vjedhje” nuk i është komunikuar asnjëherë nga Prokuroria.

“Për mua çdo lloj trupe gjyqësore në këtë seancë është e paligjshme, nuk e kam me ju personalisht. Nuk kam marrë asnjë njoftim akuze për vjedhje, jam njoftuar vetëm për shpërdorim detyre,” u shpreh ai.

Procesi ndaj ish-ministrit vijon në ditët në vijim, ndërsa GJKKO pritet të shqyrtojë provat e Prokurorisë së Posaçme për kontratën e koncesionit të sterilizimit./Versus.al

Poll