AKTUALITET /

Njëri prej viktimave në vr*sjet e ndodhura për një kafe, RAI për Palucin: Kërkohej në Itali për atentat

Sipas mediave italiane, Paluci ishte arratisur për në Shqipëri pasi kishte plagosur rëndë 2 italianë për konflikte në trafikun e drogës.

Shkruar nga Versus
Njëri prej viktimave në vr*sjet e ndodhura për një kafe, RAI
Flori Paluci, njëri prej viktimave

Pas tragjedisë së ndodhur mëngjesin e së martës ku dy të rinj mbetën të vrarë me armë zjarri për një konflikt banal, u zbulua se njëri prej tyre, Flori Paluci kishte precedentë penalë në Itali.

Megjithatë mediat e vendit fqinj, kanë publikuar detaje të tjera rreth 33 vjeçarit duke thënë se ai ishte kthyer në Shqipëri për t’i shpëtuar hetimit nga karabinierët pasi 4 muaj më parë dyshohet se ka plagosur rëndë dy italianë jashtë një lokali në Verna.

Sipas Rai-t, dyshohet se atentati kishte ardhur pas përplasjeve për shkak të trafikut të drogës.

Që prej asaj kohe, Paluci ishte zhdukur dhe karabinierët nuk kishin rënë dot në gjurmët e tij derisa së fundmi u bë me dije se ka mbetur i vrarë në Manzë.

Si ndodhi tragjedia në qytezën e vogël

Shkak për gjithçka është bërë një kafe e kërkuar prej autorit Daniel Pepa, 21 vjeç. Ky i fundit kishte shkuar në lokalin ku ndodhej edhe Flori Paluci dhe i kishte kërkuar kamarierit që t’i bënte një kafe. Kamarieri i ishte përgjigjur duke thënë se ekspresi ishte fikur që në orën 00:00 ndërsa ora shënonte rreth 01:45. Kaq ka mjaftuar që Pepa të shpërthente në fyerje, gjë që solli më pas edhe reagimin e Flori Palucit i cili i kishte dalë në mbrojtje kamarierit.

Pas përplasjes mes tyre, Pepa është larguar dhe është rikthyer sërish pas pak minutash me shokun e tij Aranit Kurti dhe me një tjetër 21 vjeçar i cili po ashtu është i arrestuar. Përplasja mes tyre u zhvendos jashtë lokalit ku 33 vjeçari Flori Paluci u përlesh fizikisht me ta dhe më pas qëlloi me armë zjarri në tokë për t’i larguar. Kjo bëri që edhe Daniel Pepa të nxirrte armën dhe ta qëllonte. Pas kësaj, Paluci ka qëlluar drejt tij dhe Aranit Kurtit. Ky i fundit së bashku me Palucin ndërrruan jetë për shkak të plagëve të marra. Ndërsa Daniel Pepa vijon të jetë në arratis së bashku me një person që e ndihmoi të largohej. Për ngjarjen janë arrestuar 4 persona, shokë të dy palëve të përfshira në konflikt. Versus.al

Poll