Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë një njoftim me rëndësi të madhe për të gjithë zgjedhësit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Në deklaratën e tij, Celibashi i bën thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht atyre që ndodhen në Greqi dhe nuk kanë marrë ende asnjë njoftim nga kompania ndërkombëtare e shpërndarjes DHL, të marrin vetë kontakt me zyrat e kësaj kompanie në vendin ku jetojnë. Kjo për të marrë informacion mbi dërgesën postare të materialeve zgjedhore, të cilat janë dërguar nga KQZ për votimin jashtë territorit të Shqipërisë.
Sipas Celibashit, shumica e rasteve ku nuk është bërë kontaktimi me zgjedhësit vjen si pasojë e problemeve me adresën e deklaruar në Regjistrin e Posaçëm të Emigracionit (PER), e cila nuk përputhet me adresën aktuale të banimit, ose për shkak të përdorimit të numrave shqiptarë të telefonit, që zgjedhësit nuk i kanë më në përdorim.
“NJOFTIM ME SHUMË RËNDËSI PËR ZGJEDHËSIT NGA JASHTË!
Shpërndajeni për miqtë dhe të afërmit tuaj.
Të gjithë ata zgjedhës nga jashtë, kudo në botë, por veçanërisht ata në Greqi, të cilët deri më sot nuk kanë marrë njoftim dhe/ose nuk janë kontaktuar nga DHL, qoftë nëpërmjet e-mailit apo nëpërmjet SMS-it, janë të lutur të kontaktojnë me shërbimin e DHL në vendin ku jetojnë, për t’u informuar mbi dërgesën postare nga KQZ.
Mungesa e njoftimit apo e kontaktimit të këtyre zgjedhësve deri tani nga DHL është kryesisht për shkak të problemeve me adresën e banimit të deklaruar në PER, e cila nuk përputhet me adresën aktuale në terren, ose për shkak të përdorimit të numrave të kontaktit shqiptarë, ku zgjedhësi nuk ka akses”, shkruan Celibashi./Versus.al








