Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi nëpërmjet një konference për mediat ka bërë bilancin e çështjeve të trajtuara nga institucioni që ai drejton, ndërsa foli për sfidat e sistemit gjyqësor në vend duke ngritur si problematikë numrin e ulët të gjyqtarëve e prokurorëve.
Ai tha se një gjyqtar nuk bën asnjë ditë pushimi dhe se është e padrejtë që t’i kërkohet llogari për kohën kur e përfundon çështjen pasi mund të ketë 1 mijë të tilla për të shqyrtuar.
“Kolegji civil është në situatën më kritike. Nuk e imagjinoni dot se në çfarë kushtesh punon një gjyqtar. Për gjyqtarin nuk ka ditë pushimi, nuk ka kohë të lirë, punon paradite e pasdite me dosje. Nuk e di sesa është në gjendje të mbajë një gjyqtar që punon me kapacitete të tilla. flas për gjyqtarin e gjykatës së Lartë, por nuk lë pa përmendur as ato të Shkallës së Parë dhe të Apelit. Nëse një gjyqtar ka 1 mijë çështje në dorë, e imagjinoni sa e vështirë është? Gjyqtarët nuk po rrinë, nuk po vegjetojnë. Problemi është se e kërkojnë çdo gjë vetëm nga gjyqtarët. Çfarë duhet të bëjë një gjyqtar kur jep 425 vendime në vit? Duhet të ndjekë një radhë dhe e rëndësishme se motivimi ekziston tek të gjithë. Por kjo kohë është e tillë që natyrisht do të kërkojë një lloj sacrifice për njerëzit. Nuk mund të na kërkohet llogari neve se për sa kohë e përfundon qytetari çështjen në gjykatën e lartë. Unë ju them se e përfundon brenda kapaciteteve të mundshme që kemi”- u shpreh Sadushi.
Në këtë situatë, bëri thirrje që Kuvendi dhe qeveria ta marrin më seriozisht këtë problematikë dhe të mendojnë për një zgjidhje sa i takon shtimit të kapaciteteve në gjykata e prokurori.
“Kjo është thirrje edhe për legjislativin dhe ekzekutivin për të parë me përgjegjshmëri këtë situatë. Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve është problematik. Numri i stafit administrativ është problematik. Pavarësisht se është rritur nëse nuk mendohet me seriozitet, situata mund të jetë edhe më e rëndë”- tha kryegjyqtari i Lartë. Versus.al

