
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dalë me një reagim ku përmenden Shifra të personave të cilët po hetohen në gjendje të lirë në raport me ata që janë të paraburgosur.
Ky reagim vjen pas kritikave të vazhdueshme të bëra prej kryeministrit Edi Rama sa i takon numrit të paraburgosurve. SPAK bën me dije se gjatë vitit 2024 janë kryer procedime ndaj 629 personave, prej të cilëve vetëm 236 prej tyre janë hetuar nën masën “arrest me burg”.
Ndërsa në total numri i personave të parabugosur që po hetohen nga SPAK është 9.7%.
Deklaratat e Ramës për numrin e lartë të personave të paraburgosur erdhën menjëherë pasi SPAK arrestoi Erion Veliajn i cili akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash. Kryesocialisti tha se edhe SPAK luan rol në numrin e lartë të personave në paraburgim.
“Doni ta dini se sa e ka përqindjen BE të paraburgosurve? 24%. Nuk janë kryetar bashkie që merret nga zyra se ne kemi ca prova. Po mirë mo në rregull, po lëre të bëjë detyrën se tjetri ka një detyrë për të bërë. E dini sa e kemi ne përqindjen? 61%. Sigurisht nuk është SPAK-U faktori kryesor, por dhe ai ka rol”- është shprehur Rama disa ditë më parë në reagimin për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Reagimi i SPAK:
Gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka kryer hetime ndaj 629 personave.
Prej tyre, vetëm 236 persona ose 37.5% janë hetuar nën masën e sigurimit “arrest me burg”, i parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
246 persona ose 39.1% janë hetuar në gjendje të lirë.
147 persona ose 23.4 % të hetuar me masa të tjera sigurimi.
Raporti i të paraburgosurve:
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, numri total i personave në paraburgim është 2791 për vitin 2024.
Nga totali prej 2791, numri i personave në paraburgim të hetuar nga SPAK është 270 persona ose 9.7%.
Që pas arrestimit të Veliajt, Rama ka pasur një qasje tjetër ndaj Prokurorisë së Posaçme duke deklaruar se tashmë PS nuk mund të heshtë për standartet e hetimeve, duke kritikuar prokurorët për metodat hetimore. Ndërsa u bëri thirrje që të mos gabojnë dhe t'i sekuestrojnë telefonin edhe atij njëjtë si personave të tjerë. Versus.al








