
Nën masa të rrepta sigurie, pasditen e kësaj fundjave do të nisë operacioni për transferimin e 90 të dënuarve me rrezikshmëri të lartë nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fushë-Krujë drejt IEVP Peqin. Operacioni do të realizohet me angazhimin e strukturave të specializuara të rendit dhe shërbimeve penitenciare, me synim garantimin e sigurisë, rendit dhe zhvillimit normal të procesit.
Sipas burimeve jozyrtare, transferimi bëhet në kuadër të rishpërndarjes së të dënuarve dhe forcimit të masave të sigurisë në sistemin penitenciar. Megjithatë, kjo lëvizje pritet të shoqërohet me sfida organizative, veçanërisht në drejtim të akomodimit dhe përshtatjes së menjëhershme të të dënuarve në institucionin pritës, duke rritur ngarkesën për strukturat e IEVP Peqin.
Operacioni është planifikuar në çdo detaj dhe do të zhvillohet me eskortë të posaçme, mjete të blinduara dhe zbatim të protokolleve të përforcuara të sigurisë. Autoritetet përgjegjëse kanë marrë masa për menaxhimin e situatës, duke garantuar respektimin e standardeve ligjore dhe trajtimin e të dënuarve sipas kuadrit ligjor, pa cenuar rendin dhe sigurinë në institucionet penitenciare.
Mësohet se transferimi ishte planifikuar të kryhej gjatë orëve të natës që lamë pas, por për shkak të arsyeve organizative dhe logjistike, është shtyrë për pasditen e sotme.

