BOTA /

Rusia bombardon Ukrainën mes bisedimeve tripalëshe me SHBA-në për t’i dhënë fund luftës

Në shënjestër të sulmeve të Rusisë gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës ishin dy qytetet më të mëdha të Ukrainës, Kievi dhe Harkivi, ku u vra një person dhe u plagosën të paktën 23 të tjetër.

Shkruar nga Versus

Rusia bombardon Ukrainën mes bisedimeve tripalëshe me SHBA-në

Rusia ka kryer sulme me dronë dhe raketa kundër Ukrainës gjatë natës, duke e vrarë një person dhe duke i plagosur 23 të tjerë, pavarësisht bisedimeve tripalëshe me Shtetet e Bashkuara që janë duke u zhvilluar për përfundimin e luftës.

Delegacione nga Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja u mblodhën të premten në Abu Dabi në bisedimet e para tripalëshe qëkurse Kremlini e nisi pushtimin e plotë të vendit fqinj në vitin 2022.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e akuzoi të shtunën presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se urdhëroi në mënyrë “cinike” sulme me raketa, ndërkohë që bisedimet mes palëve po vazhdonin në Abu Dabi.

“Ky sulm barbar edhe një herë dëshmon se vendi i Putinit nuk është në tryezën e paqes, por në bankën e të akuzuarve të një tribunali special”, shkroi Sybiha në platformën X.

Në shënjestër të sulmeve të Rusisë gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës ishin dy qytetet më të mëdha të Ukrainës, Kievi dhe Harkivi, ku u vra një person dhe u plagosën të paktën 23 të tjetër.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia kishte lëshuar 375 dronë dhe 21 raketa në këto sulme, të cilat edhe një herë kishin në shënjestër infrastrukturën energjetike, duke ndërprerë energjinë elektrike dhe ngrohjen për pjesë të mëdha të kryeqytetit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të premten se është ende herët për të nxjerrë përfundime nga dita e parë e takimeve në Abu Dabi dhe i bëri thirrje Rusisë të tregojë se është e gatshme t’i japë fund luftës.

Bisedimet pritej të rifillonin të shtunën në mëngjes.

Përpara bisedimeve, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të premten se Rusia nuk ka hequr dorë nga këmbëngulja që Ukraina ta dorëzonte të gjithë zonën lindore të Donbasit – zemrën industriale të Ukrainës - që përfshin rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut.

Kërkesa e presidentit rus që Ukraina ta dorëzojë 20 për qind të territorit të Donjeckut që ende e mban nën kontroll – rreth 5.000 kilometra katrorë – ka dalë të jetë pengesë e madhe për çdo marrëveshje.

Zelensky nuk pranon të heqë dorë nga toka që Rusia nuk ka arritur ta pushtojë në katër vjet lufte rraskapitëse dhe shkatërruese.

Sondazhet tregojnë se ka pak gatishmëri mes ukrainasve për lëshime territoriale.

Rusia thotë se dëshiron zgjidhje diplomatike, por do të vazhdojë të punojë për arritjen e qëllimeve të saj me mjete ushtarake, për aq kohë sa zgjidhja përmes bisedimeve mbetet e paarritshme.

Para sulmeve të së shtunës, Kievi kishte përjetuar tashmë dy sulme masive gjatë natës që nga fillimi i Vitit të Ri, të cilat kishin ndërprerë energjinë elektrike dhe ngrohjen për qindra ndërtesa banimi.

Zëvendëskryeministri i Ukrainës tha të shtunën se 800.000 njerëz në Kiev – ku temperaturat ishin rreth -10 gradë Celsius – kishin mbetur pa energji elektrike pas sulmit të fundit rus. /REL

Poll