
Një rrjet i dyshuar për trafikimin e emigrantëve në vendet e Ballkanit është goditur gjatë një operacioni të koordinuar ndërkombëtar, ku morën pjesë autoritetet e Greqisë, Bullgarisë, Holandës dhe Rumanisë, me mbështetjen e Europol.
Aksioni u zhvillua më 16 korrik në disa qytete, mes tyre Selanik, Athinë, Sofje, Bukuresht dhe Etten-Leur në Holandë. Si rezultat i operacionit u arrestuan shtatë persona të dyshuar, pesë prej tyre në Greqi, një në Bullgari dhe një në Holandë.
Sipas Europol, grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas sirianë dhe egjiptianë, dyshohet se organizonte kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Greqia drejt Italisë, përmes itinerareve që përfshinin Bullgarinë dhe Rumaninë.
Emigrantët, kryesisht nga Egjipti, Iraku dhe Siria, transportoheshin fillimisht me automjete të vogla nëpër territorin e Ballkanit dhe më pas kalonin në kamionë për pjesën e fundit të udhëtimit drejt destinacionit final.
Hetuesit dyshojnë se rrjeti përdorte makina me qira, automjete të regjistruara në emër të personave të tretë apo kompanive fiktive, si dhe mjete të vjedhura, kryesisht në Greqi.
Sipas autoriteteve, për sigurimin e automjeteve përdoreshin dokumente identifikimi të vërteta dhe të falsifikuara, ndërsa pas përdorimit mjetet nuk ktheheshin te kompanitë e qirasë.
Deri më tani, autoritetet e lidhin këtë grup me 12 raste të trafikimit të emigrantëve të regjistruara nga shkurti deri në korrik 2026, ndërsa katër raste të tjera mbeten ende nën hetim.
Europol deklaroi se gjatë operacionit ka asistuar në shkëmbimin e informacionit mes vendeve pjesëmarrëse dhe ka dërguar ekspertë në terren për verifikime të menjëhershme në bazat e të dhënave.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të dyshuar trafikimi./Versus.al

