Elbasan- Një aksident fatal ka ndodhur mbrëmjen e 14 gushtit në Cërrik ku një automjet ka përplasur për vdekje të moshuarin Naum Bulli, 84 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 në aksin që lidh Cërrikun me Belshin. Mësohet se mjeti tip "Volkswagen Tiguan" drejtohej nga një shtetas amerikan, emri i të cilit nuk bëhet ende me dije. Goditja ka qenë aq e fuqishme saqë i moshuari ka ndërruar jetë në vend.
Pamjet ekskluzive të siguruara nga Versus.al tregojnë momentin kur makina me shpejtësi tej normës së lejuar, përplas të moshuarin. Burime nga policia kanë treguar se drejtuesi i mjetit është arrestuar në flagrancë por nuk ka sqaruar nëse ai vazhdon masën e arrestit apo është liruar.
Ndërsa familjarët e të moshuarit që ndërroi jetë, kanë akuzuar policinë për fshehje të ngjarjes ndërsa pretendojnë se drejtuesi i mjetit është liruar vetëm pak orë pas arrestimit. Kur kanë kaluar dy ditë nga ngjarja, policia ende nuk ka dhënë ndonjë njoftim zyrtar. /Versus.al







