AKTUALITET /

Parandalimi i krimeve zgjedhore më 11 maj, KQZ firmos bashkëpunimin me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme

Shkruar nga Versus
Parandalimi i krimeve zgjedhore më 11 maj, KQZ firmos bashkëpunimin me
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi dhe kreu i SPAK, Altin Dumani

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë nënshkruar sot një protokoll bashkëpunimi për zgjedhjet parlamentare që mbahen më 11 maj.

Kreu i KQZ publikoi foto nga momenti i firmosjes së marrëveshjes me Dumanin dhe Çelën në kuadër të masave të përbashkëta që do marrin këto institucione për parandalimin e krimeve zgjedhore.

Reagimi i Celibashit në facebook:

Sot në mjediset e KQZ Shqiperi, së bashku me Prokurorin e Përgjithshëm, z. Olsian Çela dhe Drejtuesin e SPAK, z. Altin Dumani, nënshkruam Protokollin e Koordinimit dhe Bashkëpunimit mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Ky protokoll është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional për të garantuar integritetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Nëpërmjet këtij protokolli parashikohen masa të përbashkëta për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me zgjedhjet, si dhe krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm për shkëmbimin e shpejtë dhe efikas të informacionit mes institucioneve të përfshira.

Ky bashkëpunim i strukturuar synon jo vetëm parandalimin e krimeve zgjedhore, por edhe ndëshkimin e çdo shkeljeje që cënon procesin zgjedhor, duke forcuar kështu drejtësinë zgjedhore dhe duke garantuar që çdo veprim kundër votës së lirë të marrë përgjigjen e duhur ligjore.

Me këtë marrëveshje, KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK riafirmojnë angazhimin e tyre për një proces zgjedhor të drejtë, të lirë dhe në përputhje me standardet demokratike dhe normat e Bashkimit Evropian.

Protokolli është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur transparencën dhe për të forcuar besimin e qytetarëve tek zgjedhjet dhe institucionet përgjegjëse për administrimin dhe monitorimin e tyre.

Bashkëpunimi do të vijojë gjatë gjithë periudhës zgjedhore, me koordinim të pandërprerë mes palëve për të garantuar që çdo rast i dyshuar apo çdo përpjekje për të ndikuar në procesin zgjedhor të adresohet me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm.

Në janar të këtij viti, SPAK njoftoi planin për të bërë të mundur parandalimin e krimeve zgjedhore më 11 maj. Prokurorët e SPAK ditën e zgjedhjeve do të jenë të shpërndarë në 12 qarqet e vendit për të monitoruar çdo indicie apo të dhënë për krime zgjedhore.

Madje Prokuroria e Posaçme ka miratuar ngritjen e një platforme nga ku mund të bëhen denoncime nga qytetarët në rast se shohin raste të presionit për shitblerjen e votës apo për të votuar një parti politike të caktuar.

Pas publikimit të këtyre masave, kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë si një “lajthitje momentale” duke thënë se është e pamundur që të bëhet survejimi i partive politike në fushatë zgjedhore apo në ditën e zgjedhjeve. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: