
Në Gjykatën e Posaçme ka nisur seanca gjyqësore për gjykimin e dosjes “Partizani” që lidhet me privatizimin e ish-ambienteve të klubit sportiv. Për dosjen janë marrë të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, Xhimi Begeja, juristia Andia Pustina dhe biznesmeni ndërtues Fatmir Bektashi.
I pranishëm në seancën e sotme gjyqësore është vetëm Jamarbër Malltezi. Ndërsa Berisha është përfaqësuar nga avokati i tij Genc Gjokutaj. Ky i fundit ka kërkuar nga gjyqtarja kryesuese Elsa Ulliri që të shpallë pavlefshmëri të marrjes së Sali Berishës si të pandehur gjatë këtij procesi, ndërsa shkoi më tej duke akuzuar ish-ambasadoren e SHBA Yuri Kim se kishte presionuar SPAK-un për të ndjekur penalisht Berishën.
“Nga të dhënat e njoftimit nga SPAK, konstatohet se Berisha në cilësinë e tij si kryeministër, ka kryer veprime konkrete, duke marrë akte ligjore dhe nënligjore me qëllim përfitimin e familjeve pronare, ku përfitues ishte edhe Jamarbër Malltezi. Prokuroria ka tejkaluar kompetencën e saj kushtetuese, duke u bazuar në opinione. Ngritja e akuzës nuk është kryer në përputhje me ligjin. Prokuroria përdor dy standarte, për Sali Berishën vendos masë sigurie ndërsa per bazën detare të Limionit dhe për Teatrin nuk ka masë sigurie. Ambasadorja Kim ka ushtruar presion ne spak per te ndjekur penalisht Berishën.”- u shpreh Gjokutaj në seancë.
Më herët gjatë ditës së sotme, Sali Berisha u paraqit në SPAK për të zbatuar masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’. Pasi doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Berisha nuk i kurseu akuzat ndaj kreut të saj Altin Dumanit për favorizimin që sipas tij po i bëhet Ramës dhe anëtarëve të qeverisë së tij në aferat korruptive apo kriminale ku Berisha pretendon se ata janë përfshirë. Versus.al







